Fatmir Limaj Propozon Hashim Thaçin Për Dëshmitar

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, ish-shefi i Zyrës Ndërkombëtare Civile (ICO) Peter Faith, ish-shefja e Prokurorisë Speicale të EULEX-it Isabell Arnal dhe ish-kryeprokurori i EULEX-it Johannes van Vreeswijk, janë katër dëshmitarët e propozuar nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj, për të dëshmuar në rastin e njohur si “rasti i korrupsionit”.

Propozimi i Limajt është bërë të premtën gjatë seancës gjyqësore [seancë dëgjimore] në rastin e njohur gjyqësor ku Fatmir Limaj dhe gjashtë të pandehur të tjerë akuzohen për 13 vepra penale që kanë të bëjnë kryesisht me korrupsion dhe shpërdorim të detyrës zyrtare.

Lidhur me propozimin për dëshmitarë, gjykata do të përcaktohet pasi fillimisht të vendosë nëse do të vazhdohet me gjykimin e rastit, ose nëse aktakuza do të hidhet poshtë.

Nëse Thaçi aprovohet si dëshmitar, në bazë të procedurës penale ai është i detyruar të dëshmojë para gjykatës.

Në këtë seancë palët mbrojtëse dhe të pandehurit për më shumë se tetë orë kanë paraqitur kundërshtimet e tyre për hudhjen poshtë të aktakuzës.

Limaj, gjatë paraqitjes së tij i është referuar çështjes së transkriptit të mesazheve telefonike, provë kjo e cila është kundërshtuar nga mbrojtja e Limajt qysh në kohën sa po zhvilloheshin hetimet.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori Johannes Pickert, Fatmir Limaj kishte shkëmbyer mesazhe dhe ishte takuar me Mehmet Shkodrën, pronar i kompanisë “Intereuropa” që garonte në tender dhe pohonte se tenderi i ishte premtuar. 

Aktakuza po ashtu e bën ish-ministrin përgjegjës për takime personale me operatorë ekonomikë derisa tenderët ishin në vazhdim dhe për marrje ryshfeti. “Shefi” Limaj, sipas aktakuzës, udhëhoqi një grup kriminal që, duke e përdorur me qëllim fragjilitetin e administratës dhe limbon e paspavarësisë, veproi që të merrte përfitime personale duke mbushur xhepat me “shuma të konsiderueshme ryshfetesh”.

Avokati Karim Khan, që në këtë rast mbron Limajn, ka ofruar për gjykatën versionin e tij për çështjen e sms-ave.

Khan tha se personi i parë i cili kishte pranuar këto sms është Hashim Thaçi, i cili kishte shkuar të njëjtën ditë në zyrën e Fatmir Limajt për ta pyetur rreth përmbajtjes së sms-ve.

“Limaj nuk është fshehur askund kur është pyetur për sms nga Thaçi, por menjëherë ka thirrur Endrit Shalën për ta sqaruar këtë”, tha Khan.

Avokati mbrojtës shtoi se “ato janë dorëzuar në mënyrë anonime, nga burime anonime dhe nuk ka asnjë lloj prove për vërtetësinë e tyre”.

Edhe Limaj ka përmendur çështjen e mesazheve telefonike dhe duket se kjo është arsyeja pse ai ka propozuar që të ftojë kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, në cilësinë e dëshmitarit.

Kryeministri ende nuk e ka komentuar propozimin e Fatmir Limajt që ai të paraqitet si dëshmitar.

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar më 30 nëntor 2012 se prokuroria e EULEX-it nuk ka propozuar dëshmitar Hashim Thaçin edhe pse ai ishte i përfshirë, sipas Limajt, në aferën e sms-ve. 

Në këtë rast, sipas aktakuzës së ndryshuar me numër PPS 425/09 më 5 dhjetor 2012, Fatmir Limaj, dy vëllezërit e tij Demir dhe Florim Limaj, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi, Florim Zuka dhe Gani Zuka akuzohen për trembëdhjetë vepra penale që kanë të bëjnë kryesisht me korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Rasti ka të bëjë me periudhën kohore gjersa Fatmir Limaj shërbente si ministër i Infrastrukturës dhe Telekomunikacionit. 

Grupi prej shtatë të pandehurve akuzohet për krim të organizuar, përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës, lidhje e kontratave të dëmshme, shpërdorim i detyrës zyrtare, marrje e rryshfetit, dhënie e rryshfetit, keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi, pastrim i parave, pengim i të provuarit, asgjësim apo fshehje e materialit arkivor, mbajtje në pronësi dhe posedim të paautorizuar të armëve dhe mosdeklarim të parave të pranuara gjatë fushatës.


Hashim Thaçi | Foto: PDK Facebook

Nuk di a të qesh, a të qaj, apo çfarë të bëj?”

Nga tetë orë seancë, më shumë se gjysma e kohës është shfrytëzuar vetëm nga Limaj dhe mbrojtësi i tij, të cilët së bashku kanë hedhur poshtë akuzat e ngritura nga prokurori Pickert.

Gjatë deklarimeve të tyre, edhe Khan edhe Limaj janë shprehur se nuk dinë si të ndjehen më këtë rast gjyqësor.

“Nuk e di a të qesh, a të qaj, apo çfarë të bëj”, ka thënë Khan gjatë paraqitjes së tij, e cila fjali më pas është përsëritur edhe nga Limaj.

Komandant Çeliku, siç njihej gjatë luftws, ka filluar të qajë gjatë paraqitjes së tij dhe për pak çaste ka ndalur deklaratën e tij.

Më pas ai ka vazhduar me lot në sy duke thënë se “prokuroria më ka prekur aty ku e kam gjënë më të shenjtë: ndershmërinë dhe shërbimin në këtë vend”.

“Kurgjo nuk kam më dhe kurgjo nuk kam dashur të kem, përveç atyre që i kemi fituar me djersë”, tha Limaj i përlotur.

Gjersa kundërshtone akuzat Limaj fshinte djersët dhe vazhdimisht kërkonte për dokumente në tavolinën e të akuzuarit, ku edhe ndodhej i ulur.

Limaj tha se “për katër vjet zyra e prokurorit ka shfrytëzuar tërë logjistikën dhe s’ka mundur të gjej asnjë provë. Asnjë konto number asgjë…”.

“Edhe katër mijë vjet nuk mund të gjejë sepse nuk ekziston asnjë provë.”

“Demiri dhe Florimi janë vëllezërit e mi, Endriti ka qenë shef i kabinetit, ndërsa Nexhat Krasniqi drejtor i prokurorimit”.

“Duhet më shku në burg sepse më thirrin shef a? Nëse është ashtu krejt Kosova duhet më shku në burg”, tha Limaj.

Limaj tha në gjykatë se është i vetmi ministër që nuk ka larguar njerëz nga puna, por që ka punuar me ata që i ka gjetur aty.

“Faji im i vetëm është që kam punuar shumë. Tek ne po punove shumë të kritikojnë, e po nuk punove nuk të thonë asgjë”.

Avokati mbrojtës e ka quajtuar këtë çështje si “boshe dhe me pasaktësi të hetimeve”, ndërsa prokurorin si “refuzues kokëfortë që të ushtrojë obligimet ligjore të tij”.

Ai dhe Limaj vazhdimisht i janë referuar mediave të cilat kishin raportuar lidhur me këtë rast.

Khan ka përmendur deklaratën për media të ish-kryeprokurorit të EULEX-it Johannes van Vreeswijk që  kishte deklaruar se bëhej fjalë për 80 milionë euro shumë kjo që po rritej çdo ditë.

“Nga 80 milionë prokurori bie në shumën prej 250 mijë euro, por as kjo shumë nuk ka kuptim, sepse këto para nuk i ka marrë Fatmir Limaj, i cili ende jeton në shtëpinë e blerë nga babai i tij”.

Një fakt tjetër, që sipas Khan vërteton “paaftësinë” e prokurorisë, është kërkesa që prokuroria ka bërë në gjykatën supreme për vazhdimin e afatit kohor të hetimeve.

“Kjo është bërë sepse prokuroria ‘nuk ka gjetur bazë për akuza’”, tha Khan. Kërkesa e prokurorisë për shtyerjen e afatit të hetimeve është hedhur poshtë nga Gjykata Supreme.

Në aktakuzë përmenden edhe disa pagesa që Limaj i ka bërë Khanit për shërbime juridike, por kjo pikë është kundërshtuar nga vetë avokati i cili tha se “pagesat janë bërë nga Tribunali i Hagës, gjersa ai shërbente aty si prokuror”.

Lidhur me këto kundërshtime prokuroria do të thotë fjalën e saj në seancën e ardhshme.

Kundërshtimet e bëra nga Khan me të cilat kërkon që kjo aktakuzë të hidhet poshtë janë rreth 100 faqe dhe përmbajnë edhe 200 faqe të tjera dokumente shtesë.


Foto arkiv: Karim Khan dhe Fatmir Limaj

“Doktor Shala është njeri i devotshëm”

Kundërshtimet e tyre i kanë paraqitur edhe të pandehurit e tjerë.

“Nuk ka asnjë provë ose dëshmi kundër Endrit Shalës”, është shprehur avokati i tij mbrojtës Arianit Koci.

Sipas Kocit, “doktor Shala është prind i devotoshëm dhe mjek i mirë dhe fati i tij varet sot”.

Avokati mbrojtës deklaroi se sms-të nuk gjenden në arkivin e postës dhe se rrjedhimisht ato nuk kanë ekzistuar asnjëherë.

Kundërshtimet janë paraqitur edhe nga avokatët mbrojtës të Demir dhe Florim Limajt, Nexhat Krasniqit, Florim Zukës dhe Gani Zukës.

Seanca dëgjimore, e dyta më radhë, qëkur ka filluar gjykimi i deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës Fatmir Limajt dhe të tjerëve për rastin e njohur si “rasti i korrupcionit”, është mbajtur në Kinemanë ABC1 të premtën që nga mëngjesi deri në rreth orës 18:00.

Fillimisht gjykatësja caktoi 15 minuta kohë për secilin mbrojtës që të paraqisnin kundërshimet e tyre.

Një gjë e tillë u kundërshtua nga Khan, Limaj dhe të tjerët nën arsyetimit se duhej të trajtoheshin si palë të barabarta.

“Prokurori ka pasur kohë dy ditë për të paraqitur aktakuzën. Mos na kufizoni në kohë por na trajtoni si palë të barabarta”, tha Fatmir Limaj. 

Kinemaja e cila është marrë me qira nga misionin i EULEX-it në mungesë të sallave të gjykimit mblodhi rreth 150 persona, përfshirë këtu palët në proces dhe publikun. 

Seancat gjyqësore në rastin Limaj dhe të tjerët janë ndër seancat që tërheqin më së shumti publik.

Endrit Shala

Vendim gjyqësor për “kufizim të mediave”

Në fillim të seancës, kryetarja e trupit gjykues Anna Adamska Gallant ua tërhoqi vërejtjen mediave rreth xhirimit të seancës gjyqësore.

Lidhur me xhirimin e seancave unë kam marrë një vendim dhe pres që ky vendim të respektohet, tha Adamska Gallant në fillim të seancës gjyqësore.

Vendimi, i publikuar në faqen zyrtare të EULEX-it, parasheh xhirimin e seancave gjyqësore vetëm gjatë dhjetë minutave të para të seancës.

Përmes këtij vendimi, i cili përmban gabime gjuhësore dhe nuk është i përkthyer mirë nga gjuha angleze, gjykatësja e EULEX-it ka përcaktuar edhe mënyrën e xhirimit të seancave gjyqësore.

Sipas vendimit, mediat lejohen të bëjnë “vetëm prezantim të përgjithshëm të sallës gjyqësore” por u ndalohet “prezantimi i drejtëpërdrejtë i gjykatëses, të pandehurve dhe avokatëve”. 

Vendimi për kufizimin e mediave është kundërshtuar nga Fatmir Limaj dhe avokati i tij mbrojtës Karim Khan.

Të dy kanë kërkuar nga gjykatësja që të lejohet xhirimi i plotë i seancës gjyqësore ashtu siç ishte lejuar gjatë seancës së parë dëgjimore kur prokurori i rastit Johannes Pickert kishte lexuar aktakuzën. 

“Katër vjet nuk kam pasur mundësinë që për të gjitha ato shpifje dhe linçime që janë bërë kundër meje dhe familjes sime të flas para mediave”, ka thënë Limaj.

“Katër vjet jam torturuar ndaj dua të flas”.

Ndërkohë, për të njëjtën çështje avokati Khan kërkoi nga gjykatësja Anna Adamska Gallant që mediat të lejohen të xhirojnë, nëse dëshirojnë.

“Ky nuk është rast që ka dëshmitarë të mbrojtur dhe është në interes të lartë të publikut”, tha Khan.

Lidhur me xhirimin e seancave gjyqësore është deklaruar edhe prokurori Pickert, i cili nuk e ka kundërshtuar xhirimin dhe transmetimin e plotë të seancës gjyqësore.

Në pjesën e parë të seancës gjykatësja tha se qëndron prapa vendimit për të mos lejuar xhirimin e seancave dhe se palët mund të ushtronin ankesë kundër këtij vendimi në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Pas pushimit të drekës Adamska Gallant tha se ka “rikonsideruar” vendimin dhe se ka vendosur të lejojë xhirimin e seancës nga mediat.