Qytetarët Lëndohen Pasi Vidhen Kapakët e Pusetave në Gjakovë (TV)

Vjedhja e kapakëve të pusetave për t’i shitur më pas është bërë shqetësuese për komunën e Gjakovës pasi po i rrezikon qytetarët e saj.

Benjamin Morina, nxënës i klasës së parë, nuk e harron natën kur gati ra në një pusetë pa kapak, derisa luante pranë shtëpisë së xhaxhait të tij.

Banori gjashtë vjeç i lagjes “Dardania” të Gjakovës tregon se e ka shpëtuar një shufër e metaltë e vendosur në mes të pusetës së zbuluar, për të mos u lënduar më shumë.

“Mu ka zhytur këmba, kjo [shufra] më ka shpëtuar. [Gjuri] m’u ka lënduar, më kanë dërgu në spital derisa mu ka shëndoshë”, thotë ai.

Komuna thotë se në vitin 2012 janë vjedhur 74 kapakë pusetadh dhe se janë ndërruar afërsisht gjysma e tyre. Ndërkohë, sipas saj, 30 puseta janë evidentuar pa kapakë në vitin 2013.

Bernard Frrokaj, drejtor për Shërbime Publike, tha se Komuna e Gjakovës është në dijeni të vjedhjes së kapakëve të pusetave.

“Është shumë problem të bëhet zëvendësimi i tyre sepse janë kapakë të punuar para më shumë se 50 vjetësh dhe tash në treg nuk gjenden formate të tilla për zëvendësim”, tha drejtori Frrokaj, duke shtuar se së shpejti do të hapet tender për zëvendësimin e tyre.

Ai po ashtu thotë se edhe përkundër kërkesave të shumta dhe të vazhdueshme të qytetarëve për intervenim sa më të shpejtë, komuna do ta ketë të vështirë  zëvendësimin e në kohë të shkurtër.

“Ne disa herë u kemi bërë apel qytetarëve që të mos i vjedhin këta kapakë, sepse vlera e tyre është disa herë më e madhe sesa ajo e shitjes me kilogramë. Madje ne i kemi nxjerrë në terren edhe inspektorët që të bëjnë kontrollin mos ndonjëra nga hekurishtet i blen ato nga hajnat, por deri më tani nuk kemi hasur në diç të tillë”, tha drejtori për Shërbime Publike.

Komandanti i Stacionit Policor në Gjakovë Kristë Gjokaj tha se policia është në rrjedha të dukurisë së vjedhjes së kapakëve të pusetave, duke bërë edhe arrestimin e disa personave si të dyshimtë lidhur me këtë dukuri.

“Jemi duke bashkëpunuar shumë mirë me ta (me hajnat) dhe kemi pista konkrete të hetimeve”,  tha Gjokaj.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani i tha gazetës se raste të vjedhjes së kapakëve të pusetave ka pasur në gjithë Kosovën dhe se në të gjitha rastet PK-ja ka ndërmarrë te gjitha veprimet për hetimin  dhe trajtimin e këtyre rasteve.
 
“Lidhur me hetimin e rasteve të kësaj natyre, hetuesit policorë në të gjitha rastet ku ka pasur elemente te dyshimit  kanë kryer disa  bastisje në disa deponi që merren me blerjen e metaleve dhe njëkohësisht janë njoftuar edhe pronarët e këtyre kompanive se metalet e tilla janë të vjedhura dhe blerja e sendeve të vjedhura është e ndaluar”, tha Kelani.
 
Më herët gjatë muajit mars gazeta ka shkruar për dukurinë e vjedhjes së kapakëve të pusetave edhe në komunën e Vushtrrisë, ku përveç kapakëve janë evidentuar edhe vjedhje të shenjave të komunikacionit dhe rrethojave të hekurta të lumit Tërstena.