Tolaj në Gjykim pa Përcjellje të Policisë

Pas një pushimi gati një muajsh, Ilir Tolaj, Bujar Bukoshi dhe të tjerët u ulën sërish në bankat e të akuzuarve.

Ilir Tolaj, sekretar permanent i Ministrisë së Shëndetësisë në suspendim, ndryshe nga herat e tjera, sot erdhi vetë, pa përcjelljen e policisë. Kjo pasi që trupi gjykues i ka hequr atij masën e arrestit shtëpiak.

Të gjithë të pandehurit kur u pyetën nga gjykata thanë se do të japin mbrojtjen e tyre, duke u përgjigjur në pyetje të palëve.

Mbrojtja e të pandehurve kërkoi kohë nga gjykata deri të enjten që të përgatitet për marrjen në pyetje të të pandehurve. Gjykata ia mundësoi një gjë të tillë.

Aktakuza e prokurores Maria Bamieh e ngarkon ish-Ministrin e Shëndetësisë Bujar Bukoshi se kishte mbajtur takim me operatorë ekonomikë përpara vendimeve për dhënie kontratash, gjë që është praktikë e pazakonshme.

Po ashtu, ai akuzohet se nuk kishte vazhduar kontratat me tri kompani kosovare. Me këto veprime, ai dyshohet se ka kryer veprën penale shpërdorim i pozitës zyrtare ose autorizimit.

Ilir Tolaj para gjykatës po përgjigjet për tentim dhe shpërdorimin e pozitës zyrtare ose të autorizimit, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare, marrje e ryshfetit, shmangie nga tatimi dhe pengim i të provuarit.

Seanca e së mërkurës kaloi duke u marrë më shumë me çështjen e provave që ishin paraqitur nga prokurorja speciale Bamieh dhe nga mbrojtja e të pandehurve.

Provat e prokurorisë u konsideruan si të lexuara, pasi që askush nuk paraqiti kundërshtime, ndërsa provat e dorëzuara nga mbrojtja nuk ishin përkthyer të gjitha në anglisht, e ato të përkthyerat nuk u kundërshtuan.

“Nuk kam pranuar përkthimin e dosjes së dorëzuar nga mbrojtja e Tolajt” tha prokurorja Bamieh.

Gjykata tha se provat do të përkthehen dhe pastaj do t’i jepet mundësi prokurores që t’i kundërshtojë ato, nëse ka kundërshtime.

Gjykata u dorëzoi palëve edhe raportin e ekspertëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, të cilët kishin punuar atë për tenderin e penjve kirurgjikë.

Prokurorja Bamieh e kundërshtoi këtë raport duke thënë se “raporti është kundërthënës, ka dykuptimësi dhe nuk është i plotë…prandaj kërkoj nga gjykata që të caktojë një ekspert ose grup tjetër të ekspertëve, por që në përbërje e ka një ekspert të huaj”.

Këtë deklarim e mbështeti edhe avokati Arianit Koci, i autorizuar i Jona Med-it, kompani e dëmtuar nga të pandehurit sipas aktakuzës.

Mbrojtja e të pandehurve e përkrahu ekspertizën duke e quajtur profesionale, të plotë dhe ekspertizë që u është përgjigjur pyetjeve të gjykatës.

Për këtë çështje pritet të vendosë gjykata në seancën e radhës.

Gjykata pritet të po ashtu të marrë vendim nëse do e zhbllokojë llogarinë e të pandehurve Ilir Tolaj dhe Arbenita Pajaziti.

Përderisa Tolaj e Pajaziti kërkuan zhbllokimin e llogarive të tyre, prokurorja kundërshtoi që të bëhet zhbllokimi i llogarive, pasi sipas saj, nëse të pandehurit shpallen fajtorë, Qeveria e Kosovës si e dëmtuar, nuk ka ku t’i kompensojë dëmet e saj.

Seanca e radhës pritet të vazhdojë të mërkurën me deklarimin e Ismet Hysenit.