Matje Tensioni në Qendër të Ferizajt (TV)

Instituti i Europës Juglindore dhe Fakulteti “Qeap Heimerer” për nder të 12 Majit-Ditës së Infermierisë ofruan të premten në Ferizaj shërbime shëndetësore për ata që kishin nevojë.

Ferizajasit mund t’i kryenin këto shërbime pa shkuar te mjeku dhe pa paguar para, për nder të 12 Majit- Ditës së Infermierisë.

Këtë e bënë të mundur studentët-vullnetarë të Fakultetit të Mjekësisë dhe Infermierisë “Qeap Heimerer” dhe përfaqësuesit e Institutit të Europës Juglindore për Avancimin e Shkencave Mjekësore dhe të Infermierisë.

Infermierja Afërdita Mustafa, përfaqësuese e Fakultetit “Qeap Heimerer” deklaroi se një fushatë e tillë do të organizohet gjatë tërë javës nëpër të gjitha qytetet e Kosovës.

“Organizimi ka të bëjë me matjen e tensionit të gjakut dhe glikemisë [sasisë së sheqerit në gjak] dhe dhënies së këshillave pacientëve rreth këtyre gjërave”, tha Mustafa.

Ajo shtoi se infermieria në Kosovë po përparon, edhe pse u deklarua se kushtet e punës së infermierëve janë ato që janë.

Ofrimi i shërbimeve të tilla shëndetësore filloi të martën në Prishtinë, për të vazhduar të enjten në Prizren e Pejë, ndërsa të premten në Ferizaj, Rahovec e Mitrovicë.

“Klientë” të studentëve të “Qeap-Heimerer”-it në Ferizaj ishin kryesisht të moshuarit.