Kisha Mund ta Mbështesë Qeverinë për Marrëveshjen

Liderët e Kishës Ortodokse Serbe në tubimin e Sinodit të Shenjtë, trupit udhëheqës të saj, këtë muaj, do të pozicionohen edhe rreth Kosovës, parashikon Zivica Tuciq, një ekspert religjioni në Serbi.

“Kisha do të mundohet të gjejë një zgjidhje të pranueshme për çështjen e  Kosovës”, Tuciq i tha BIRN-it

Sipas Tuciqit, Kisha ka të ngjarë të mbështesë politikën e qeverisë mbi çështjen e Kosovës si të vetmen zgjidhje praktike.

Qeveria serbe bëri një marrëveshje me Kosovën për normalizim marrëdhëniesh në Bruksel më 19 prill.

Projekt-marrëveshja kryesisht ka të bëjë me të ardhmen e komunitetit serb në Kosovë.

Marrëveshja parashikon që komuniteti lokal serb të ketë mundësinë e zgjedhjeve të komandantëve policorë, ndërsa përbërja e policisë në përgjithësi do të reflektojë strukturën etnike në terren. Drafti propozon gjithashtu më shumë gjyqtarë që vijnë nga minoriteti serb.

Tuciq tha se një nga shenjat që kisha do ta mbështesë qeverinë rreth kësaj çështjeje është reagimi i patriarkut Irinej rreth kritikave që disa peshkopë i bënë marrëveshjes.

Patriarku Irinej distancoi veten dhe kishën nga të gjitha deklaratat e bëra nga mitropoliti i Malit të Zi dhe Bregdetit Amfilohije dhe peshkopi i pensionuar Atanasije Jevtiq, në protestën e së premtes kundër marrëveshjes së Brukselit, të mbajtur në Sheshin e republikës në Beograd.

Gjatë një lutjeje për Kosovën në fillim të protestës, Amfilohije bëri thirrje për “rilindje të Kosovës e Metohisë, gjithë Serbisë dhe popullit serb”.

Duke iu referuar udhëheqësve të Serbisë, peshkpi i pensionuar Atanasije tha që “këta tre njerëz në pushtet janë tradhtarë që u besojnë garancive të NATO-s”.

Takimi i Sinodit të Shenjtë është planifikuar për 21 maj. Përveç marrëveshjes së Kosovës, Sinodi do të diskutojë edhe për pasuritë e kishës, emërimin e peshkopëve të rinj, marrëdhëniet me Kishën ortodokse maqedonase dhe festimin e 1700 vjetorit të Ediktit të Milanos.