“Kleçka” Mbyllet Për Publikun

Me kërkesë të dëshmitarit të radhës, të koduar me shkronjën Y, për ta paraqitur dëshminë e tij pa praninë e publikut, seanca  e së martës në rastin “Kleçka” po zhvillohet pa prezencën e të interesuarve.

Prokuroria dhe mbrojtja u pajtuan që “t’i japin përparësi të vërtetës” në vend të interesit publik, duke bërë që trupi gjykues të kërkojë zbrazjen e sallës së stërmbushur.

Në rastin “Kleçka”, Arben Krasniqi, Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi, Behlul Limaj, Fatmir Limaj, Refki Mazreku, Naser Shala, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj, akuzohen për krime të luftës kundër popullatës civile dhe robërve të luftës.

Limaj ishte liruar fillimisht nga akuzat në maj të vitit të kaluar, por prokuroria ishte ankuar ndaj aktgjykimit dhe rasti është kthyer në rigjykim.

Limaj gjendet nën arrest shtëpiak, pasi gjykata para tri javësh kundërshtoi kërkesën e prokurorit për ta mbajtur atë në paraburgim.

Dëshmia e Dëshmitarit Y në sallën e Kinemasë ABC1 pritet të vazhdojë gjatë gjithë ditës së martë.