Shtyhet Ekstradimi i të Kërkuarve nga Maqedonia

Pas më shumë se dy muajsh nga fillimi i procedurave të ekstradimit, avokati i të dyshuarve Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq tha se klientët e tij më parë duhet të dalin para gjyqit për krime tjera që dyshohet se i kanë kryer në Kosovë.

Gjatë majit të dy do të dalin para gjyqit për posedim ilegal dhe tregti me armë, të cilat iu gjetën gjatë arrestimit në muajin mars.

Autoritetet në dy shtetet nuk i lidhën armët e gjetura me vrasjet masive të ndodhura në Shkup.

“Një gjë është e sigurt. Nëse shpallen fajtorë për posedim armësh, një herë duhet ta kryejnë dënimin në Kosovë, para se të ekstradohen drejt Maqedonisë”, u tha gazetarëve Besnik Berisha, avokati i të dyshuarve.

Ai shtoi se gjykimi i Alil Demirit dhe Afrim Ismailoviqit mund të zgjasë një vit dhe nëse ata të dy shpallen fajtorë, mund të dënohen prej dy deri në dhjetë vjet burg.

Policia e Kosovës ndaloi Demirin dhe Ismailoviqin në mars. Ata janë dy nga gjashtë shqiptarët e kërkuar nga Maqedonia për vrasjet afër kryeqytetit maqedonas në prill të vitit 2012. Një gjykatë në Prishtinë urdhëroi mbajtjen e të dyshuarve në paraburgim.

Një prokuror maqedonas i mban përgjigjës Demirin dhe Ismailoviqin për vrasjen e shumëfishtë, të njohur si rasti “mostra”. Katër të tjerët janë duke u gjykuar në Shkup me akuza për terrorizëm.

Autoritetet maqedonase nisën procedurat e ekstradimit gati menjëherë pas arrestimit të të dyshuarve në Kosovë, ndërsa thonë se kanë kompletuar kërkesat për ekstradim.

 “Ne kemi një marrëveshje ekstradimi me Kosovën, së cilës iu kemi referuar dhe tash ekstradimi varet prej tyre. Ne jemi të vetëdijshëm për rrethanat, por jemi optimistë se nëse ekziston vullneti, të dy shpejt do të përballen me drejtësinë në Maqedoni”, i tha BIRN-it një burim i Ministrisë së Drejtësisë në Maqedoni, nën kushte anonimiteti.

Në ndërkohë në Shkup, të dy të dyshuarit vazhdojnë të gjykohen në mungesë.

Të pandehurit tjerë Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Rami Sejdi dhe Haki Aziri u deklaruan të pafajshëm.

Të katërt po mbahen nën arrest që nga koha kur policia maqedonase arrestoi gjatë majit të vitit të kaluar nëpër disa paralagje të Shkupit, njëzet të dyshuar si radikalë islamikë.

Trupat e Filip Slavkovskit, Aleksandar Nakjevskit, Cvetanco Acevskit dhe Kire Trickovskit, të katërt nga 18 deri në njëzet vjet, u zbuluan më 12 prill të vitit që shkoi.

Të katërt duket se janë ekzekutuar. Trupi i pestë i Borçe Stevkovskit 45 vjeçar qe gjetur jo shumë larg katër trupave të tjerë.

Lajmi për vrasjet shtoi tensionet ndëretnike, kur grupe maqedonasish u ngritën në protesta, në disa raste të dhunshme, duke akuzuar për vrasjet pjesëtarë të komunitetit të numërt shqiptar në Maqedoni.

Edhe pse gjykimi në Shkup është pranë përfundimit, burime të gjykatës së këtushme penale thanë se nëse të dyshuarit e arrestuar në Kosovë ekstradohen, gjykimi mund të nis nga fillimi.