Një Institucion Shëndetësor Për Të Cilin Pacientët Flasin Mirë (TV)

Instituti i Mjekësisë së Punës së Kosovës në Gjakovë mundohet ta mbajë lart “flamurin” e shëndetësisë kosovare.

I themeluar në vitin 1983, atëherë në kuadër të Industrisë së Bashkuar të Tekstilit “Emin Duraku”, deri në vitin 1999 i kishte të gjitha pajisjet e nevojshme të kohës për diagnostifikim sëmundjesh, ndërsa ishte i besueshëm për përcaktim analizash edhe nga pacientë të ish-Jugosllavisë.

Sipas Luan Nagavcit, ushtrues detyre i drejtorit, instituti i rinovuar pas lufte nga Ministria e Shëndetësisë, përpiqet ta vazhdojë traditën e pasur.

“Te ne janë diagnostifikuar edhe sëmundje shumë të rralla… … si ekinokoku[shiriti] i zemrës te një pacient në vitin 1990”, thotë Nagavci.

Edhe pse Instituti i Mjekësisë së Punës në Gjakovë u dedikohet të punësuarve, ai nuk ua mbyll dyert as  të tjerëve. Vazhdon të jetë i hapur si më parë edhe ndaj njerëzve që vijnë nga qytetet kosovare, por edhe nga shtetet tjera.

Cen Elez Sulaj nga Bajramcurri i Shqipërisë, ka tre vjet që është bërë pacient i rregullt i qendrës së mjekësisë së punës në Gjakovë.

Ai këtu kryen analiza të zemrës, ndërsa thotë se rezultatet i kanë dalë përafërsisht të ngjashme me ato në spitalin e përgjithshëm të Tiranës.

“Mungesa e specialistit të zemrës në qytetin tim, më sjell mua këtu”, thotë Sulaj.

“Mjekët këtu janë shumë të mirë, të presin tepër mirë si nga ana morale, ashtu edhe nga ajo profesionale”, vazhdon ai.

Fjalë të mira për institutin ka edhe pacienti tjetër Zeqë Jasiqi, nga fshati Jasiq i Deçanit dhe tash banor i Gjakovës. Ai tregon se ka zgjedhur këtë institut, përpara Spitalit “Isa Grezda” të qytetit, ngase këtu trajtohet shumë mirë.

“Kam probleme me fyt e kam ardhë me u vizitu… …ktu po m’presin mirë, janë mjekët shumë t’mirë, shërbimi i mirë, e veç fjalë t’mira kam për këtë qendër”, thotë Jasiqi.

Edhe ushtruesi i detyrës së Institutit të Mjekësisë së Punës, Luan Nagavci, thotë se punonjësit mundohen të jenë sa më njerëzorë.

“Te ne flet pacienti e jo mjeku, sepse pacienti ka ardhë me folë e jo mjeku”, thotë Nagavci.

“Ka ende vende të mira ku punohet për shëndetësinë e cila nuk është e tëra e zezë siç publikohet nëpër media, dhe në opinionin e qytetarëve”, vazhdon ai.

Instituti ka 16 mjekë specialistë, dy janë në specializim, ndërsa personeli përbëhet nga 84 persona. Këtu kryhen të gjitha shërbimet mjekësore, më përjashtim të ndërhyrjeve kirurgjike dhe dhënies së injeksioneve.

Oftalmologia Lendita Thaçi-Berisha tregon se Instituti i Mjekësisë së Punës ka aparatin më të mirë nga të gjitha institucionet publike. Me këtë aparat sipas saj mund të përcillen ndryshimet e të parit të pacientëve me diabet.

Institutin… e Gjakovës e dallojnë nga institucionet tjera shëndetësore edhe hulumtimet shkencore të kryera nga personeli.

Ky institut është institucion terciar  shëndetësor, i lidhur drejtpërdrejt me Ministrinë e Shëndetësisë.