Jevtiq Interesohet për Kthimin e Serbëve në Deçan

Ministri i Kosovës për Kthim dhe Komunitete, Dalibor Jevtiq, të mërkurën ka vizituar Deçanin me qëllim të informimit rreth procesit të kthimit të komuniteteve pakicë në këtë komunë.

Ndër temat që ministri Jevtiq tha të ketë diskutuar me kryetarin e Deçanit, Rasim Selmanaj, në takimin me dyer të mbyllura, ishin ajo e Manastirit, dhe rregullimit të rrugës që shpie në drejtim të tij dhe kthimit të komunitetit pakicë.

“Pos tjerash bisedova me kryetarin Selmanaj për procesin e kthimit në Deçan, konkretisht të familjes Markoviq nga një kamp në Smederevë të Serbisë në fshatin Dashinoc të Komunës së Deçanit në pronat e veta, si dhe mundësitë që ka Ministria për Kthim për të ndihmuar të kthyerit”, tha ministri Jevtiq.

I pyetur kur do të bëhet kthimi i shqiptarëve të zhvendosur në pjesën veriore të Mitrovicës, ministri Jevtiq u përgjigj se secili qytetar i Kosovës do të kthehet ne pronat e veta, por duhet pasur kujdes dhe duhet punuar gradualisht në menyrë që të mos nxiten tensione të cilës do palë qoftë.

Kryetari i Deçanit më pas ka thënë se çështja e kontestit të pronave me Manastirin nuk ishte temë bisedimi, por ai ka thënë që personalisht t’i ketë thënë ministrit Jevtiq se ky kontest ka zbehur raportet e mira të ndërtuara me manastirin më herët.

Më pas ministri Jevtiq më bashkëpunëtorë pa shoqërues nga Komuna e Deçanit i kanë bërë vizitë edhe Manastirit të Deçanit, i cili pas kontestit për 24 hektarë tokë me dy ndërmarrjet shoqërore “Iliria” dhe “Apiko”, ka ngrirë raportet me Komunën e Deçanit.