Europa Në Një Rrugë Të Prishtinës (TV)

Prej ditës së martë rruga “Rexhep Luci” do të bartë emrin “Rruga e Evropës” dhe të gjitha kafenetë e restorantet përgjatë kësaj rruge do të paraqesin motive të një shteti të caktuar të BE-së.

Kjo rrugë gjithmonë është karakterizuar me një gjallëri të theksuar, por në ditën e 7 Majit ishte kapluar edhe nga një entuziazëm europian.

Kështu bar restoranti “Nom-Nom” ishte dekoruar me frymën belge, përderisa “Bon Vivant” ishte simuluar në një lokal francez që në oborr kishte vendosur Kullën e Eiffelit.

Për të marrë pak aromë Europe kishin dalë edhe disa nga personalitetet politike vendore dhe ndërkombëtare, si përfaqësuesi i BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar, Vlora Çitaku ministre e Integrimeve Evropiane, Enver Hoxhaj- ministër i Jashtëm, ministri i Kulturës Memli Krasniqi, shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt, ambasadori britanik Ian Cliff, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, ambasadorja e Suedisë etj.

Edhe qytetarët e Prishtinës e kanë mirëpritur këtë ndryshim të përkohshëm.

“Me të hyrë në këtë rrugë sikur harron Prishtinën dhe gjendesh në të njëjtën kohë në ambiente të ndryshme. Një organizim i tillë është për t’u përshëndetur, por duhet të punojmë çdo sekondë që Kosovën ta përafrojmë me këto vende në të ardhmen”, tha studenti i mjekësisë, Arbër Shehu për Gazetën Jeta në Kosovë.

Për katër ditët e ardhshme po në këtë rrugë në Prishtinë e paralelisht edhe në qendrat tjera të Kosovës si Peja, Prizreni e Mitrovica, do të zhvillohen laramani evenimentesh që involvojnë transmetimin e projeksioneve filmike të ndryshme, dokumentarëve, koncerteve, shfaqjeve teatrale etj.

Kjo iniciativë e organizuar për nder të Ditës së Europës, e që do të zgjasë deri më 12 maj është inicuar nga Zyra e Unionit Evropian në Kosovë, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Integrimit Evropian, Ministria e Punëve të Jashtme në bashkëpunim të ngushtë me ambasadat e shteteve anëtare të Bashkimit Europian.