Qeveria Padit Familjarët e Pensionistëve të Vdekur

Familjarët e autorizuar të pensionistëve, për të cilët qeveria nuk ka qenë në dijeni se nuk jetonin më, ndër vite vazhdonin të tërhiqnin paratë.

Por, tani ekzekutivi ka vendosur që mjetet e tërhequra kundërligjshëm nga familjarët e pensionistëve të vdekur duhet t’i kthejnë në arkën shtetërore.

Familjarët po ndiqen nëpërmjet padive gjyqësore.

Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale kërkoi kthimin e 10 mijë e 640 eurove nëpërmjet këtyre padive.

Shuma që i është kthyer MPMS-së gjatë atyre nëntëdhjetë ditëve është rreth 7 mijë e 270 euro.

Zyra për media e kësaj ministrie tha se në tremujorin e parë të 2013-tës janë parashtruar 26 kërkesa për ushtrim të padisë.

Kërkesat ajo i dërgoi tek Ministria e Drejtësisë, përkatësisht divizioni për përfaqësim gjyqësor, që ngrehë padi në emër të qeverisë.

Sipas zyrtarëve qeveritarë madje kjo dukuri është duke shënuar rënie pasi që në vitet e mëhershme kishte pasur më shumë mashtrime. 

Qeveria vendosi në vitin 2011, përmes një udhëzimi administrativ, që pensionistët të paraqiten në Administratën Pensionale për çdo gjashtë muaj për të dëshmuar se ende janë gjallë.

“Pensionistet ankoheshin se u binte të paraqiteshin shpesh”, thotë Behxhet Gaxhiqi, këshilltar politik për çështje sociale i ministrit Nenad Rashiq. “Por kjo ka ndihmuar në evitimin e mashtrimeve”.

“Në kuadër të Departamentit të Administratës Pensionale të MPMS-së po ashtu ekzistojnë ekipet mobile nëpër rajone dhe sektori i kontrollit që merren vetëm me verifikimin në terren se a janë në jetë shfrytëzuesit e pensionit apo jo”, thotë Gaxhiqi.

Ministria konfirmoi se prej vitit 2009 deri në vitin 2013 janë bërë gjithsejtë 916 kërkesa nga MPMS-ja për të ngritur padi për veprën “pasurim i pabazë”.

Divizioni për Përfaqësim Gjyqësor ngriti 734 padi gjatë viteve kundër personave që tërhoqën pensione në emër të familjarëve të vdekur.

Zyra për Media e Ministrisë së Drejtësisë pohoi se vetëm në vitin 2013 janë ngritur tetë padi nga gjashtë kërkesa që janë bërë nga Ministria e Punës e Mirëqenies Sociale.

Ka raste kur gjykata e hedh poshtë padinë e ngritur nga Ministria e Drejtësisë.

Gjatë vitit 2012 e 2013 janë nxjerrë 117 aktgjykime nga gjykatat nëpër Kosovë.

MD-ja fitoi në 49 raste ndërsa humbi 6 raste në vitin 2012. Në vitin 2013, MD-ja fitoi 46 raste ndërsa humbi 16 raste.


 
Kosova ka mbi 175 mijë pensionistë

Gazeta Jeta në Kosovë raportoi se numri i pensionistëve është në trend rritje dhe se Qeveria e Kosovës është duke shpenzuar rreth 9 për qind të buxhetit për pensione.

Të dhënat e Ministrisë së Punës kallëzojnë se në muajin mars të vitit 2013 u shpërndanë 175 mijë e 500 pensione.

Numri i pensionistëve në dhjetor të vitit 2012 ishte për 4 mijë e 553 më i vogël. MPMS-ja atë muaj kishte ndarë 170 mijë e 947 pensione.

Shteti me një buxhet prej 1.6 miliardë eurosh ka paraparë që gjatë këtij viti të shpërndajë 147 mijë e 69 mijë euro në formë pensionesh e ndihmash. 

Aktualisht pensione bazë marrin 117 mijë 524 persona, pensione për kontribut pagues marrin 35 mijë 818 veta , pensione për persona me nevoja të veçanta marrin 17 mijë e 457 veta , të parakohshme për minatorët nga “Trepça” marrin 3 mijë e 874 persona, për TMK 751 veta dhe pensione për FSK-në marrin 76 veta..

Bazuar në të dhënat për vitin 2012 të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), edhe 13 mijë e 232 pensione jepen për tri kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së.

Kategoria e fundit e përfituesve tash pritet të jenë edhe ish të Burgosurit dhe Përndjekurit Politikë.