Kosova Nikoqire e Garës Rajonale të Peshkimit (TV)

Ekipe peshkatarësh nga mbarë Ballkani janë ulur të dielën në brigjet e liqenit të Badovcit në Prishtinë për të marrë pjesë në një garë peshkimi të organizuar nga Klubi i Peshkimit AS Prishtina.

Tetëmbëdhjetë ekipe nga Bullgaria, Mali i Zi, Maqedonia dhe Kosova morën pjesë në këtë garë ku më së shumti peshq zuri ekipi bullgar “Julian Team”.

Në vendin e dytë u rendit ekipi “Doem” nga Maqedonia, ndërsa në vendin e tretë u radhit ekipi prishtinas  “AS Prishtina” që funksionon në kuadër të Shoqatës së Peshkatarëve “Krapi”.

Vendin e parë në konkurrencën individuale e zuri Martin Georgiev peshkatari nga Bullgaria që më parë ka zënë vendin e tretë në garat evropiane.

Vendi i dytë dhe i tretë u takoi kosovarëve, respektivisht Jeton Mulollit nga “AS Prishtina” dhe Luan Ukajt nga “Trofta” e Pejës.

Edhe ekipet tjera që nuk arritën të fitojnë njërin nga tre vendet e para morën mirënjohje, ndërsa peshkatarët bullgarë ftuan homologët e tyre kosovarë për një garë ndërkombëtare në Bullgari.

Por fituesi më i madh doli vetë liqeni i Badovcit, brigjet e të cilit peshkatarët në një organizim ekipor i pastruan të udhëhequr nga Arsim Gërxhaliu, kryetari i klubit “AS Prishtina”.