Sportistët Kulmorë Do të Mbështeten nga Shteti

Mundësia e largimit të Majlinda Kelmendit nga Kosova për të garuar nën ngjyrat e ndonjë shteti tjetër, duket se ka ndezur motorët e Minstrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, në dizajnimin dhe shtyrjen drejt miratimit të rregullores për shpërblimin e sportistëve që arrijnë suksese kulmore në gara ndërkombëtare.

Në fillim të marsit të këtij viti, Kelmendi ishte takuar me ministrin Memli Krasniqi pas së cilit ministria kishte thënë në një komunikatë se xhudistja kosovare nuk do të garonte për ngjyra të shteteve tjera dhe paralajmëronte se Qeveria do të punonte për nxjerrjen e një rregulloreje.

Të enjten Qeveria e Kosovës ka miratuar Rregulloren për Ndarjen e Shpërblimeve Shtetërore për Sportistët që arrijnë rezultate kulmore në Garat Ndërkombëtare, si dhe Rregulloren për Mbështetjen e Përhershme Financiare të Sportistëve të cilët kanë Fituar Medalje në Lojërat Olimpike, në kampionatet botërore dhe kampionatet evropiane.

Në këtë mënyrë ata sportistë kosovarë që arrijnë një rekord olimpik do të inkasojnë në konton e tyre hiq më pak se 200 mijë euro.

100 mijë euro do të marrin ata që arrijnë të fitojnë medalje të artë në lojëra olimpike, 60 mijë për një medalje të argjendtë dhe 40 mijë për një të bronztë.

Për ata sportistë që do të arrijnë rekorde në kampionatet botërore, Qeveria e Kosovës do t’i shpërblejë me 100 mijë euro, ndërsa fituesit e medaljeve të arta në këto kampionate me 40 mijë. 20 mijë për medalje të argjendtë dhe 14 mijë për një medalje të bronztë në një kampionat botëror.

Edhe sukseset në kampionatet europiane do të shpërblehen sipas kësaj rregulloreje.

Arritja e një rekordi europian nga një sportist kosovar do t’i kushtojë buxhetit me 40 mijë euro. 20 mijë për medalje të artë, 14 mijë dhe 8 mijë për medalje të argjendtë respektivisht të bronztë.

Përveç kësaj secili prej fituesve të çmimeve të lartcekura do ta ketë të garantuar mbështetjen e përhershme financiare, që nga mosha 45 vjeçare.

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve Memli Krasniqi tha para kolegëve të tij qeveritarë se shpërblimet e përcaktuara në rregullore janë më të larta se në shumicën e vendeve të rajonit.
 
Rregullorja për shpërblime do të njeh rezultatet që janë arritur në garat zyrtare nga data 1 janar 2013. Ndërkaq ajo për mbështetje, vlen për çdo sportist të Kosovës, që ka fituar medalje në këto tri gara ndërkombëtare.

Mbështetja e përhershme për sportistët kulmorë do të jetë si vijon: 800 euro në muaj për fituesin e medaljes së artë olimpike, 600 për fituesin e medaljes së argjendtë olimpike dhe 500 për medaljen e bronztë olimpike.

600 euro në muaj do të marrë fituesi i medaljes së artë në kampionat botëror, 500 një fitues i medaljes së argjendtë dhe 400 për të bronztë.

Ndërkaq për medaljen e artë në kampionat evropian, pensioni do të jetë 500 euro, për të argjendtë 400 dhe për të bronztën 300.

Sportisti ka të drejtë të marrë këtë pension nga mosha 45 vjeçare, dhe nuk mund të marrë për të njëjtën medalje shpërblim edhe nga një shtet tjetër.

Sipas kësaj rregulloreje trajneri i sportistit apo sportistëve që kanë fituar medalje do të marrë si shpërblim 50 për qind të shumës së shpërblimit që merr sportisti.

Sportistët e rinj që arrijnë rezultate në Lojëra Olimpike për të Rinj, kampionate botërore dhe kampionate evropiane në kategorinë deri në U23 shpërblehet në masën 25 për qind të vlerës së përcaktuar më lartë.

Ministri Krasniqi ka nënshkruar të enjten edhe rregulloren për bursat për shpresat olimpike dhe paraolimpike.

Bursa për shpresat olimpike dhe paraolimpike do të jetë 150 euro në muaj dhe sipas rregullores do të ndahen deri në 10 bursa në vit për sportistët e rinj nga mosha 14 deri në 21 vjeç.