Veshkat - Eksploatim i të Varfërve

“Motivi i vetëm i këtij eksploatimi i të varfërve dhe të vobektëve ishte mundësia e një përfitimi marramendës dhe makutëria njerëzore”, tha Jonathan Ratel, në një konferencë për gazetarë, disa orë pas verdiktit të Gjykatës Themelore në lidhje me rastin që ai e drejtoi.
 
Verdikti për dënim me 20 vjet burg të pesë personave – për krim të organizuar, trafikim me njerëz dhe lëndim të rëndë trupor – erdhi rreth katër vjet e gjysmë që kur është zbuluar, më 4 nëntor 2008, një pacient i klinikës Medicus në aeroportin e Prishtinës me një vragë të freskët në trup. Prej aty, kishin filluar dyshimet që çuan deri në mbylljen e klinikës atë vit.

Gjykata ka vërtetuar se ishin bërë rreth 24 transplantime veshkash të cilave u ishin dhënë 24 personave të ndryshëm, kryesisht izraelitë.

“Heqja e organeve është bërë për përfitimin e personave që vinin nga shtetet e pasura me një kujdes të avancuar të shëndetit – që e kishin të pamundur të bënin transplantime në shtetet e tyre të origjinës dhe donin të jetonin – disa prej të cilëve tani më kanë ndërruar jetë”, tha prokurori.

Sipas prokurorit, të varfrit, të vobektit, ata që vuanin kronist dhe nga anthi akut financiar ishin në qendër të këtij “konspiracioni kriminal”.

“Këta persona ishin hedhur në mëshirën e fatit pasi iu morën organet pa iu nënshtruar trajtimit mjekësor adekuat apo vëmendjen e domosdoshme mjekësore”, tha Ratel. “Ata i janë nënshtruar një rreziku serioz për dëmtim të jetës së tyre dhe sigurisë”.

Ratel tha se viktimat meritojnë kompensim dhe arrestim të të dyshuarve kryesorë.

“Por shpresohet se lajmet e sotme do të shikohen me pozitivitet si sjellje e drejtësisë dhe sigurisë për viktimat”. 

20 Vjet Burg Për Trafikim të Veshkave

Gjykata Themelore e Prishtinës të hënën dënoi me 20 vjet burg pesë të akuzuar për krim të organizuar, trafikim me njerëz dhe lëndim të rëndë trupor në lidhje me rastin Medicus, klinikën ku u bënë transplanetimet e veshkave.

Lutfi Dervishi, drejtor dhe pronar i klinikës Medicus, është gjendur fajtor për krim të organizuar dhe trafikim me njerëz. Ai është dënuar me tetë vjet heqje lirie dhe me gjobë prej dhjetë mijë eurosh. Gjoba duhet të paguhet brenda tre muajsh nga dita kur aktgjykimi merr formën e prerë. Dervishit gjithashtu i është ndaluar ushtrimi i veprimtarisë mjekësore për dy vjet si urolog.

Arban Dervishi, i biri i Lutfiut dhe ekonomist në klinikë, është gjetur fajtor për krim të organizuar dhe trafikim dhe është dënuar me shtate vjet e tre muaj burg dhe me një gjobë prej dymijë e pesëqind eurosh. 

Lutfi dhe Arban Dervishi janë obliguar nga gjykata që të kompenzojnë viktimat me pesëmbëdhjetë mijë euro.

Anesteziologu Sokol Hajdini u shpall fajtor për lëndim të rëndë trupor me tri vjet heqje lirie. Iu ndalua ushtrimi i profesionit si anesteziolog për një vit nga dita kur aktgjykimi bëhet i prerë. Hajdini u lirua nga akuza për krim të organizuar dhe iu refuzuan akuza për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore. 

Asistentë-anesteziologët Islam Bytyqi dhe Sylejman Dula u dënuan me nga një vit dënim me kusht për lëndim të rëndë trupor, me kusht që brenda dy vitesh të mos bëjnë vepër të re penale. 

Ilir Rrecaj, ish-sekretari i përhershëm i Ministris së Shëndetësisë, u lirua nga akuza për abuzim të detyrës zyrtare dhe u refuzua akuza për falsifikim të dokumenteve zyrtare. 

Driton Jiltës, kirurg, iu refuzua akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ushtrimit të paligjshëm të aktivitetit mjekësor.

Aktakuza

16:23 Transplantimet e 24 veshkave ishin kryer në klinikën Medicus më 2008, ndërsa në aktakuzën e prokurorit thuhej se përgatitjet për tregtim të organeve ishin bërë më 2006 kur Lutfi Dervishi kishte hyrë në kontakt direkt me Youssuf Somnezin, mjekur nga Turqia, kur ata edhe “filluan të planifikojnë dhe organizojnë transplantime të veshkave në Kosovë”.

Pranuesit e veshkave ishin kryesisht qytetarë izraelitë ndërsa dhuruesit nga shtete të ndryshme përfshirë Turqinë, Izraelin, Ukrainën etj. 

Prokuroria pohonte se Medicus-i operonte pa licencë zyrtare për transplantime organesh, edhe pse kishte licencë për shërbime kardiologjike. 

Klinika ishte mbyllur nga hetuesit më 2008. 

Dy persona të përfshirë nuk kanë mundur të gjykohen sepse janë jashtë vendit. Për ta ka urdhër-arrest ndërkombëtar nga ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë. 

Dr.Youssuf Somnez dyshohet si kryerës i operacioneve të transplantimit të veshkave të më shumë se 20 personave të ndryshëm nga vende të ndryshme. Veshkat transplantoheshin në këmbim të shumave të mëdha të parave – deri në 90000 dollarë për një transplanto. Ky është aktivitet i ndaluar sipas ligjeve të Kosovës.

Përveç Somnezit, i dyshuar tjetër kryesor është Moshe Harel, me nënshtetësi edhe turke edhe izraelite, si përgjegjës për ndërmjetësimin dhe organizimin e transplanteve. Prokurori Jonathan Rathel ka deklaruar të enjten në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë se Harel ishte në mesin e dhjetë të arrestuarve nga autoritetet izraelite dhe se ai kishte kontaktuar këto të fundit për ekstradimin e tij.

Ndërkohë, Lutfi Dervishi akuzohej për veprën penale krim i organizuar, trafikim me njerëz, ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjeksore, falsifikim të dokumenteve dhe mashtrim dhe lëndim të rëndë trupor.

Arban Dervishi akuzohej për veprën penale krim i organizuar, trafikim me njerëz, falsifikim i dokumenteve dhe mashtrim.

Ilir Rrecaj akuzohej për falsifikim të dokumenteve zyrtare dhe shpërdorim të detyrës zyrtare.

Driton Jilta akuzohej për shperdorim të detyres zyrtare dhe trajtim të pandërgjegjshëm të veprimtarisë mjekësore.

Sokol Hajdini akuzohej për lëndim të rëndë trupor, krim të organizuar, trafikim me njerëz dhe ushtrim të pandërgjegjshëm të veprimtarisë mjekësore.

Islam Bytyqi akuzohej për lëndim të rëndë trupor dhe ushtrim të pandërgjegjshëm të veprimtarisë mjekësore.

Sylejman Dula akuzohej për lëndim të rëndë trupor dhe ushtrim të pandërgjegjshëm të veprimtarisë mjekësore.

Gjykata Nis Leximin e Verdiktit të Tregtisë së Veshkave

14:49h Një trup gjykatësish i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka filluar të hënën leximin e verdiktit për rastin Medicus – të transplantimit dhe tregtisë ilegale me veshkat.

Gazeta Jeta në Kosovë

Gjatë hyrjes së publikut ka pasur fjalosje në mes të gazetarëve, familjarëve dhe sigurimit të gjykatës.

Disa nga familjarët e të akuzuarve u ankuan se po u shkelen të drejtat e njeriut duke mos i lejuar që të jenë pjesë e publikut ndërsa të tjerë thanë se nuk duhet të lejohet xhirimi i kësaj seance gjyqësore.

Xhrimi është lejuar.

Prokurori i rastit Jonathan Ratel priste në korridor të gjykatës, i shoqëruar nga truporoja, në pamundësi që të hynte në sallën e gjykimit.

Fillimisht është caktuar që të mos lejohen kamera brenda gjykimit, vendim ky që është ndryshuar brenda pak minutash, me ç’rast zyrtarë të EULEX-it kanë lejuar hyrjen e kamerave brenda sallës së gjykimit.

“Lejohet të xhirohet vetëm leximi i verdiktit”, tha Bardha Azari, zëdhënëse e EULEX-it.

Aktualisht trupi gjykues i EULEX-it është duke lexuar verdiktin me dyer të hapura të sallës së gjykimit për shkak të numrit të madh të publikut.

Në operacionin ndërkombëtar të transplantimit dhe shitjes së veshkave, që realizohej në dhe afër Prishtinës, 24 pacientë “dhuruan” veshkat e tyre dhe 24 të tjerë i morën ato – të gjithë shtetas të huaj. Vetëm nga 9 marrës të veshkave u pagua shuma prej 551 mijë eurosh dhe 208 mijë dollarësh, ndërsa kishte dhurues që mori vetëm pak më shumë se një mijë euro.

Prokurori ka paralajmëruar edhe konferencë pas seancës, gjë që është e para e këtij lloji kur një prokuror nga Misioni Europian për Sundim të Ligjit që drejton rastin flet përpara mediave në këtë formë.