VV “Zbulon” Axos-in. Qeveria Hesht

Shënim: Artikulli fillimisht është botuar më 17 prill

Subjekti i dytë opozitar në vend “Lëvizja Vetëvendosje” publikoi të mërkurën dokumente të cilat sipas tyre kallëzojnë se profili i kompanisë “Axos” është i dyshimtë.

“Axos Capital Gmbh” me bazë në Hamburg udhëheq konzorciumin ku bën pjesë edhe “Najafi Companies” dhe që tashmë është pronar i 75 për qind të  aksioneve në ndërmarrjen publike të telekomit të Kosovës. Ministria e Zhvillimit Ekonomik nuk komentoi të mërkurën gjetjet e VV-së.

Kompania Axos nuk u përgjigj në telefonat e bëra nga Gazeta Jeta në Kosovë.

Nënkryetari i VV-së Shpend Ahmeti pohoi në konferencë shtypi se Axos ka një seli e cila nuk i përngjan aspak zyreve të kompanive serioze.

“…Është një shtëpi banimi”, tha Ahmeti.

“Axos”, sipas tij, nuk ka as faqe zyrtare të përpunuar mirë me informata.

“Kompani që kanë përmasa sa për të blerë një kompani si PTK kanë faqe të internetit shumë të përpunuar, ku mund të gjesh të gjitha raportet vjetore të deritanishme, por edhe informata për numrin e të punësuarve dhe lëvizjen e këtij numri në vitet e mëparshme”, tha Ahmeti.

Në faqen zyrtare Axos përmend se ka qarkullim miliardësh, por nuk përmend asnjë klient të saj ose ndonjë projekt të realizuar.


Shpend Ahmeti

Nënkryetari i VV-së tha se qarkullim i shifrave miliardëshe nuk korrespondon me deklaratat financiare zyrtare në të cilat thuhet se kompania ka qarkulluar vetëm disa mijëra euro.

Ai i referohet dokumenteve të siguruara nga faqja zyrtare e regjistrimit të bizneseve në Gjermani.

Këto dokumente sipas tij konfirmojnë se kompania ka një kapital themelues në vlerë prej 25 mijë eurosh dhe se fitimi neto i “Axos” për vitin 2011 ishte vetëm 2 mijë e 500 euro.

Ahmeti ka përmendur se Axos kishte dështuar para disa vitesh të blinte ndërmarrje telekomi në vende tjera.
 
“Të tjera të dhëna që lidhen sërish me emrin e kësaj kompanie janë se në vitin 2008 është përjashtuar nga blerja e Kirgiztelekom dhe po atë vit është tërhequr nga investimi në Telekom Slovenije. Në 2009-tën ka dështuar që të blejë aksione në AMC, Shqipëri”, tha Ahmeti.
 
Ndërkohë për kompaninë tjetër në konzorcium “Najafi Companies LLC”, nënkryetari i VV-së tha se duket më serioze se drejtuesja e konsorciumit Axos Capital Partners.

“Por ‘Najafi Companies’ gjithsesi mbart të njëjtin problem, pra është fond investiv. Kompani të tilla blejnë aksione dhe gjithë fitimin e tyre e kanë të bazuar në rishitjen e këtyre aksioneve pjesë-pjesë”, tha Ahmeti.

Po ashtu “Axos Capital Partners”, sipas VV-së, nuk  ka bërë transparente mënyrën se si i ka grumbulluar 277 milion euro për të blerë Telekomin e Kosovës.

Vetëvendosje kërkon nga Qeveria që të bëjë publike dokumentet të cilat Axos Capital i prezantoi për t’u parakualifikuar si udhëheqës i konzorciumit.

Po ashtu kërkon nga Qeveria të publikojë dëshmi se cilat kushte plotësoi Axos, aksionarët e Axos si dhe të tregojë prejardhjen e kapitalit të saj për blerjen e aksioneve në PTK.

“Po ashtu Qeveria duhet të përgjigjet në dyshime se kompani vendore të afërta me Kryeministrin janë të përfshira në këtë transaksion” , tha Ahmeti.

Nënkryetari i VV-së konfirmoi se ky subjekt politik ka kërkuar nga LDK-ja e AAK-ja, partitë tjera opozitare, që të nënshkruajnë kërkesën për fillimin e hetimeve të procesit të privatizimit të PTK-së nga  një komision parlamentarë.

Për këtë kërkesë, sipas tij, duhen 40 nënshkrime dhe si pasojë, nëse aprovohet, do të ndërpritej procesi derisa të kryheshin hetimet parlamentare.
 
Zhugolli mohon se është pjesë e konzorciumit që bleu PTK-në

Lideri i Vetëvendosje, Albin Kurti, kishte njoftuar nëpërmjet një kumtese shtypi se një burim e tij i kishte dhënë informata të rëndësishme për prapaskenat e shitjes së aksioneve të PTK-së.

“Nga një burim që nuk u identifikua, më erdhi njoftimi që në kuadër të mjeteve të ofruara e që i menaxhon AXOS kanë shumë aksione edhe kompani vendëse të lidhura me politikanë të Kosovës, përfshirë këtu kompaninë ‘Zhugolli’ e cila është financuese e PDK-së, shumë e afërt me kryeministrin Thaçi, dhe fituese pothuajse e rregullt e tenderëve në KEK”, njoftoi Kurti.

Ai kërkoi nga kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i MZhE-së, Besim Beqaj, që t’i bëjë publike të gjithë pjesëmarrësit aksionerë në blerjen e aksioneve të PTK-së. Publikimi i tyre do të hiqte dyshimet lidhur me informacionin që kishte marrë.


Mehdi Zhugolli

Ndërkohë Kurti në një opinion të tij të botuar të martën me titull “Shpëlarja e Shekullit” në Zëri shkroi se bëhet fjalë për “disa kompani të ndryshme vendëse të afërta me kryeministrin Thaci përfshirë këtu atë të njërit apo më shumë vëllezërve Zhugolli”. Këto kompani, sipas tij, po i shpërlajnë milionat e përvetësuara pas luftës.

“Bile, në mesin e ktyre kompanive janë edhe aso që organizojnë lojëra të fatit dhe biznesmenë tjerë të lidhur me politikanë që nuk janë në qeveri”, shkroi Kurti.

Kurti në akuzat e tij nuk saktësoi konkretisht asnjë emër kompanie e asnjë emër biznesmeni.

Kompanitë me pronarë me mbiemër Zhugolli që fitojnë tenderë në KEK janë Eco Trade, pronë e Mehdi Zhugollit, dhe “AC/DC KOS”, pronë e vëllait të tij Ilmi Zhugollit.

Nuk ka kompani që quhet vetëm “Zhugolli” e që është përfitues i tenderëve publikë.

Dy kompanitë Eco Trade e “ACDC-KOS” kanë fituar në të kalurën mbi dhjetë tenderë nga Korporata Energjetike dhe Operatori i Sistemit e Transmisionit të Energjisë Elektrike KOSTT të cilët kanë pasur të bënin me ndërrime të stabilimenteve, furnizime me pajisje e tenderë për riparim të shiritave transportues. Vlera e tyre është prej dhjetëra miliona eurosh.

Pronari i “Eco Trade”, Mehdi Zhugolli i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë mohoi përfshirjen e tij në blerjen e aksioneve të PTK-së dhe tha se Albin Kurti nuk po e përmendte kompaninë e tij e as emrin e tij si blerës të mundshëm.

“…nuk jam pjesë e atij konzorciumi e as që kam pasur një ide tillë”, tha Zhugolli.

Ai tha se nuk ka informata nëse dikush ka hapur kompani me emrin Zhugolli edhe pse shtoi se ka shumë njerëz me këtë mbiemër.

“Unë nuk besoj që ka. Por nëse ka, atëherë Kurti paska marrë informata. Por, unë nuk besoj që është fjala për Ecotrad-in apo emrin tim Mehdi Zhugolli”, tha ai.