“Gjuha Në Parlament Është Denigruese”

Protesta e mbajtur para Kuvendit të Kosovës, që zgjati rreth një orë, mblodhi dhjetra qytetarë, kryesisht të rinj, të cilët dënuan “përdorimin e gjuhës seksiste nga deputetët e vendit”.

Ajo u organizua nga organizata joqeveritare “Alter Habitus” dhe u mbështet edhe nga organizata të tjera.

Sipas organizatorëve të protestës, gjatë seancës se 14 marsit, ku është diskutuar projektligji për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve dhe kategorive të tjera disa deputetë treguan qasje seksiste dhe gjuhë denigruese. 

Kështu, organizatorët e protestës vlerësuan se deputetët me diskutimet e tyre lënduan dinjitetin njerëzor të të mbijetuarave të përdhunimit dhe i ri-viktimizuan ato.

Eli Kransiqi nga “Alter Habitus” tha gjatë protestës se “gjuha por edhe qasja ne Kuvend ka qenë denigruese dhe seksiste”.

Sipas saj, protesta është organizuar edhe si reagim i sulmit të bërë ndaj Nazlie Bala, një aktiviste e të drejtave të grave nga Lëvizja Vetëvendosje. 

Igballe Rogova

Arban Mehmeti, një nga protestuesit deklaroi se debati për gratë e dhunuara është i vonuar.

Sipas tij, “pas luftës janë ngritur statuja për heronj, shumica e të cilëve janë burra, por kurrë nuk është folur për viktimat civile e aq më pak për femrat e dhunuara gjatë luftës”.

Ai tha se deputetët merren më shumë me brengat e tyre personale sesa me problemet e popullit dhe kjo tregon “mentalitetin e vyshkur dhe të prapambetur”.

Igballe Rogova, drejtoreshë e Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës, pjesëmarrëse në protestë, tha se në atë seancë është parë sa ka përkrahje kjo kategori në nivelin më të lartë.

 “Unë jam shumë e shokuar që deputetët dalin e flasin ashtu” thotë Rogova.

Sipas saj, shumë pak deputete femra e përkrahin këtë protestë dhe ka prej tyre që kanë votuar kundër këtij projektligji, por ne do të reagojmë edhe për këtë.

Para hyrjes së Kuvendit të Kosovës, e cila ishte rrethuar nga Policia, protestuesit hodhën letra në të cilat ishin shkruar fjalë seksiste, të përdorura nga deputetët në Kuvend. 

Gjithashtu në protestë është organizuar një përformancë e quajtur “Ekzaminim” ku janë paraqitur katër vajza me çekan në dorë duke shtypur molla. 

Hana Qena, një nga vajzat përforumese ka shpjeguar domethënien e përformances. 

“Nëse gratë e dhunuara do të detyrohen të ekzaminohen, atëherë trupi i tyre do të shkatërrohet për herë të dytë. Duke shtypur mollat duam të demonstrojmë se ashtu siç dëmtohen mollat me çekan, ashtu mund të ndikojë edhe ekzaminimi në trupin e grave.” 

Në Kuvendin e Kosovës, më 14 mars 2013, u miratua në parim Projektligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr.04/L-054 për Statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre.

Ky projektligj njeh për herë të parë ligjërisht statusin e personave ndaj të cilëve u ushtrua dhunë seksuale gjatë luftës.