Nazlie Bala Ndihet e Shqetësuar

Drejtuesja e Sekretariatit të Gruas Aktiviste në kuadër të “Vetëvendosjes” Nazlie Bala, e sulmuar fizikisht të mërkurën në mbrëmje, për Gazetën “Jeta në Kosovë” ka thënë se ndihet e shqetësuar dhe nuk ka pranuar ta komentojë sulmin për shkaqe sigurie dhe të hetimeve.

Ajo tha se lajmëroi në polici si kërcënimin e para një jave, po ashtu edhe sulmin fizik që i ndodhi dje para hyrjes së banesës ku jeton.

Zyrtari për informim i policisë në rajonin e Prishtinës Agron Borovci, tha për Jnk-në se janë duke u marrë me rastin e sulmit, por edhe ndërlidhjen e mundshme mes kërcënimit dhe sulmit ndaj aktivistes Bala. Borovci tregoi se edhe rasti i sulmit, edhe ai i kërcënimit janë lajmëruar në polici.

“Ne jemi duke punuar nëse ka ndërlidhje mes rastit të kërcënimit dhe rastit të sulmit, ndërsa po shqyrtojmë të gjitha pikat e hetimit për gjetjen e sulmuesve”, tha Borovci.

Para dhjetë ditësh, Nazlie Bala në emisionin e RTK’së “Në Kërkim” tregoi se është duke u munduar që brenda Ligjit për kategoritë e prekura gjatë luftës, të njihen si viktima edhe personat e dhunuar seksualisht.

Dy ditë pas emisionit , më 20 mars, Bala mori një kërcënim të shkruar me fjalët “Tlutemi mos e mproj turpin se tpret plumi ne ball”, derisa dje në mbrëmje edhe u sulmua fizikisht.

“Po ndihem pak e shqetësuar”, i tha Bala Gazetës Jeta në Kosovë, pas sulmit.

Sulmin e dënoi nëpërmjet një komunikate Lëvizja “Vetëvendosje” duke e ndërlidhur me gjuhën e ashpër të disa deputetëve të PDK-së ndaj nismës së Nazlie Balës që edhe viktimat seksuale me një amandamentim të jenë pjesë e ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre.

 “Pyesni ata në parlament pse është kaq e zorshme të mbrohen viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, tha Bala për JnK-në.

Derisa deputeti i PDK-së Shaip Muja të enjten në pjesën e seancës parlamentare të Kuvendit, ku diskutohen çështje të ndryshme, emisionin e RTK-së “Në Kërkim” dhe vetë prezencën në të të Nazlie Balës, e quajti një prodhim dhe skenar të “Vetëvendosjes”.

Muja tha se Nazlie Bala ishte më parë aktiviste shumëvjeçare e PDK-së.

Në këtë pjesë të seancës së Kuvendit kundër sulmit ndaj Nazlie Balës kanë folur edhe deputeti i “Vetëvendosjes” Glauk Konjufca dhe disa deputetë e deputete.

Sulmin ndaj aktivistes Bala e dënuan të enjten kryetarja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi.

“Sulmi fizik ndaj zonjës Bala është, është goditje ndaj vlerave të shoqërisë sonë, që mëton të jetë demokratike dhe tolerante”, thuhet në komunikatën lëshuar nga kabineti i kryetares.

Kryeministri Thaçi sulmin e cilësoi një dëm të demokracisë kosovare.

“Ky akt qyqar është i papranueshëm dhe i dënueshëm nga ana e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës”, thuhet në reagimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Për rastin e kërcënimit të aktivistes Bala, Gazeta Jeta në Kosovë raportoi edhe më herët.

Sulmin ndaj Nazlie Balës e dënoi të enjten edhe Rjeti i Grupeve të Grave të Kosovës(RrGGK), me anë të një komunikate.

“Sulmi ndaj Nazlie Balës, aktiviste për të drejtat e grave, nuk është vetëm sulm ndaj saj, por sulm ndaj përpjekjeve tona për të mbrojtur dinjitetin e grave të mbijetuara, të përdhunuara gjatë luftës”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Edhe Amasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë reagoi kundër ndërhyrjeve, kërcënimeve dhe dhunës ndaj qytetarëve dhe gazetarëve, pjesëmarrës të një debati televiziv.

“Debati i hapur dhe publik është pjesë përbërëse e një demokracie stabile. Çdo shtet ka për obligim të identifikojë mbështetje të përshtatshme për ata që kanë vuajtur si rezultat i luftës, përfshirë mbijetuesit e përdhunimit”, thuhet në komunikatën e ambasadës.

Ambasada amerikane i përsëritë thirrjet e zyrtarëve kosovarë për hetim dhe ndjekje të autorëve të sulmit ndaj Nazlie Balës.