Drejtori i SHIK-ut Në Kërkim të Ditarit të Koduar

Që nga gushti 1998 deri në prill 1999, deputeti Latif Gashi, ish deputeti Rrustem Mustafa dhe Nazif Mehmeti, kishin pasur dijeni për qendrën e ndalimit në vendin e quajtur Llapashticë, ku janë torturuar dhe rrahur në mënyrën më çnjerëzore civilë shqiptarë nën arsyetimin se ishin “kolaboracionistë të pushtetit serb”.

Kështu thuhet në pikën tetë të aktakuzës kundër “Grupit të Llapit”, rigjykimi i të cilëve filloi për herë të tretë të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë. 

Kryetari i trupit gjykues, Jonathan W. Carol, në seancën e mbajtur sot ka marrë vendim që në gjykim të procedohet vetëm pika tetë e aktakuzës së vitit 2003. 

Kjo është hera e tretë që “Grupi i Llapit” kthehet në rigjykim, qysh kur ka filluar procedura gjyqësore ndaj tyre në vitin 2003. Seanca e shqyrtimit kryesor pritet të fillojë më 25 mars. 

Por, mbrojtja e njërit prej të akuzuarve pohoi se një provë e rëndësishme e tyre tashmë ka humbur. 

Avokati Mexhid Syla ka kërkuar nga prokuroria ditarin e të pandehurit Latif Gashi, që policia e kishte marrë nga zyra e tij si provë. Ditari ishte shënuar si “prova 49”.

Ky ditar i koduar me këtë numër sipas mbrojtjes vlerësohet si krye provë nëpërmjet të cilit saktësohet se ku gjendej dhe çfarë bënte gjatë luftës Latif Gashi. Ish-komandanti i sektorit informative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pas luftës kishte punuar si Drejtor Gjeneral i SHIK’ut që vlerësohej si pozitë e dytë në këtë organizatë. Pozita kryesore ishte Shef i SHIK’ut të cilën e mbante Kadri Veseli.  

Por, prokurori Hardway tha se ka disa vite që nuk dihet asgjë për ditarin. Në lidhje me këtë kryetari i Trupit Gjykues kërkoi nga prokurori që të urdhërojë shefin e hetimeve të bëjë një raport të detajuar në lidhje me këtë.

Dëshmitarë të vdekur e të mbrojtur

Trupi gjykues, në seancën e sotme u mor edhe me organizimin e paraqitjes së dëshmitarëve  të këtij rasti. 

Prokurori njoftoi gjykatën për dëshmitarët që do të ftojë shumica e të cilëve janë dëshmitarë të mbrojtur dhe anonimë.

Tre dëshmitarë kanë vdekur, por dëshmia e dy prej tyre, Drita Bunjakut dhe Dëshmitarit B, që  kanë lënë deklaratë me shkrim u propozuan që të lexohen.

Prokurori hoqi dorë nga dëshmitari tjetër i vdekur, Agim Musliu, ndërsa Idriz Sanqa, Agush Kastrati dhe Hetem Jashari, po ashtu nuk do të dëgjohen në cilësinë e dëshmitarëve.

Dëshmitari tjetër i mbrojtur me shkronjën D, do të japë dëshmi, por meqenëse ai gjendet jashtë shtetit, gjykatësi Carol ka udhëzuar prokurorin që të sigurojë praninë e tij përmes video-lidhjes.

Një dëshmitar tjetër i identifikuar si “H” nuk mund të gjendet, pasi që prokuroria nuk posedon informata për të.

“Hetuesit nuk e dinë se ku është dhe nuk kanë kontakt me të”, tha prokurori Hardwey. 

Gjykatësi Carol, tha se për mos gjetjen e këtij dëshmitari hetuesi duhet të përgatisë një raport të detajuar i cili përmban të gjitha përpjekjet që ata i kanë bërë për ta gjetur atë. 

Të tjerë dëshmitarë të mbrojtur e të propozuar nga prokurori janë I, J, G, F, E dhe dëshmitarët anonimë “7” dhe “4”. 

Në fund prokurori propozoi që dëshmitë e dëshmitarëve të mbrojtur të jepen në gjykatë me dyer të mbyllura para mbrojtjes dhe të pandehurve, sikur në gjykimet e mëparshme. 

Në anën tjetër edhe mbrojtja propozoi që Fatmir Mustafa, Vesel Jaha, Kamer Hoxha, Gani Zuka, Sabri Gashi dhe dëshmitarët e mbrojtur M dhe B të dëshmojnë lidhur me këtë rast. 

Sipas mbrojtjes, Fatmir Mustafa, Vesel Jaha dhe dëshmitarët e mbrojtur M dhe B kanë qenë të ndaluar në qendrën e ndalimit në Llapashticë, ndërsa Kamre Hoxha, Gani Zuka dhe Sabri Gashi, kishin qenë përgjegjës në atë qendër. 

Gjykatësi kërkoi që të sjellën adresat për secilin dëshmitarë. 

Seanca e radhës do të mbahet nesër, kur edhe pritet që të pandehurit të japin deklarimet e tyre. 

<iframe width=”640″ height=”360″ src=”http://www.youtube.com/embed/1BbfZpUDvTI” frameborder=”0″ allowfullscreen></iframe>