Kërkohet Konfiskimi i Pasaportave të Krerëve të Prizrenit

Prokurorja Natashi Vikeri i propozoi gjykatësit që të gjithë të akuzuarve në rastin “Muja dhe të tjerët”, t’u konfiskohen dokumentet e udhëtimit për shkak të largimit eventual nga Kosova.

Po ashtu propozoi që ndaj të njëjtëve të caktohet masa e paraqitjes në stacionin policor të paktën një herë në javë.

“Mund të ekzistojë rreziku i ikjes së të pandehurve”, tha prokurorja ndërsa mbrojtja kundërshtoi propozimin e saj. 

Ruzhdi Berisha avokati i Mujës, kur kundërshtoi kërkesën e prokurores, tha se nëse një propozim i tillë do të aprovohet, atëherë e tërë puna e Komunës së Prizrenit do të bllokohet.

“Në asnjë mënyrë nuk vjen në shprehje ikja e kryetarit, po ashtu është e papranueshme paraqitja në stacionin policor. Merreni me mend çka do të thotë që për çdo javë kryetari dhe të tjerët të paraqiten në polici” tha avokati Berisha.

Edhe kryetari Muja, reagoi kundër propozimit të prokurores.

“.. nesër kam udhëtim për në Turqi si kryetar komune së bashku me 15 kryetarë komunash tjera e me përfaqësues të Ministrisë dhe me stafin e Habitatit. Unë prapë po e them se edhe me dhunë me më përzënë prej vendi prapë do të kthehem t’u shërbej qytetarëve të mi”, tha Muja.

Po ashtu edhe të pandehurit tjerë u deklaruan kundër propozimit të prokurores duke u thirrur në gatishmërinë për bashkëpunim me organet e drejtësisë.

Gjykatësi, Vladimir Nikula, tha  se propozimi i prokurores ishte i paparalajmëruar dhe kërkoi që të ketë kohë për këtë propozim. Ai bëri me dije se me shkrim do t’i njoftojë palët për vendimin e tij.

Në fund të seancës, prokurorja u tërhoq nga propozimi për paraqitje në stacionin policor.

Ndërkohë deri në marrjën e vendimit për konfiskim ose jo të dokumenteve të udhëtimit, të pandehurit obligohen të njoftojnë gjykatën për udhëtimet e tyre jashtë vendit. 

Avokatja vullnetare 

Të pandehurit e rastit “Muja dhe të tjerët” u deklaruan të pafajshëm të hënën në seancën gjyqësore të mbajtur në Gjykatën Themelore të Prizrenit. 

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, bashkë me pesë zyrtarë të tjerë akuzohen se me qëllim dhe për arsye të sjelljes së dobisë pasurore për të tjerët, përkundër një vendimi të Gjykatës Supreme, kanë dhënë në shfrytëzim tokën që ishte nën administrimin e Agjensionit Kosovar të Privatizimit dhe në një rast tjetër kanë dhënë në shfrytëzim pa pagesë tokën e komunës pa përfillur procedurat ligjore.

Të pandehurit e tjerë, sipas aktakuzës, janë Sadik Paçarizi, Avni Ademaj, Kadri Ukimeri, Abdullah Tejeci dhe Minir Krasniqi. 

Në pikën e katërt të aktakuzës, thuhet se në periudhën midis datës 20 gusht 2011 dhe 26 janar 2012 në Prizren, Ramadan Muja, Minir Krasniqi, Abdullah Tejeci në së paku shtatë raste të padive civile, kanë marrë pjesë në nxjerrjen e një konkluzioni, me anë të së cilit ekspertët kadastral të punësuar në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër, janë ndaluar që të marrin pjesë në seancat gjyqësore.

Kështu, komuna sipas aktakuzës ka ndikuar që paditësit të mos e realziojnë shpejtë kthimin e pronave të tyre.

Për këtë rast më 11 shtator 2011, emisioni “Drejtësia në Kosovë” ka transmetuar një reportazh për pengimin e punës së Gjykatës në Prizren.

Vlera e disa prej tokave për të cilat zyrtarët komunalë prizrenas akuzohen se kanë keqpërdorë detyrën zyrtare kap vlerën prej rreth 200 mijë eurosh.

Për këtë ata rrezikojnë të kalojnë deri pesë vjet në burg. http://gazetajnk.com/?cid=1,979,4857

Në seancën e parë gjyqësore kundër kryetarit Muja reagoi edhe nënkryetarja e Odës së Avokatëve të Kosovës Bahrije Besimi e cila në këtë gjykim nuk ishte e angazhuar për të mbrojtur ndonjërin nga të pandehurit.

“I nderuari Gjykatës, unë jam nënkryetare e Odës së Avokatëve të Kosovës dhe kryetare e avokatëve të regjionit të Prizrenit.  Dua të ju them se është një numër i avokatëve të cilët kanë shprehur dëshirën që ta mbrojnë kryetarin Muja”, tha Besimi. 

Mirëpo gjykatësi Nikula, e ndërpreu avokaten Besimi, duke i treguar që nuk është e angazhuar nga askush që të flasë në seancë gjyqësore.

Seanca e dytë do të mbahet më datë 25 prill 2013.