Tolaj Akuzon Prokuroren Për Kërcënime

Drejtori i administratës së përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë, Din Kastrati në seancën e së të premtës në rastin “Tolaj dhe të tjerët”, në cilësinë e dëshmitarit akuzoi prokuroren speciale Maria Bamie se në ditën e bastisjes së Ministrisë së Shëndetësisë, e kishte kërcënuar me fjalët “po qe se merrni ndonjë veprim ndaj Marmullakut, të jeni i bindur se do të bëheni pjesë e këtij procesi”.

Kastrati po ashtu tregoi se si kundrejt Berat Marmullakut Ministria e Shëndetësisë inicoi procedurë disiplinore për shkak të shkeljeve të supozuara të këtij të fundit.

Kjo bëri që i akuzuari Tolaj menjëherë të reagonte duke theksuar se nuk është hera e parë që prokurorja Bamieh ka bërë kërcënime dhe se ky fakt duhet t’i paraqitet EULEX-it.

Edhe prokurorja nuk e la mangut duke thënë se akuzat dhe ndërhyrjet politike të Tolajt i kishin ardhur në majë të hundës.
 
“Kjo nuk është hera e parë që z.Tolaj parashtron një akuzë kaq të rëndë kundër meje”, tha Bamie duke shtuar se ajo nuk mund të jetë dëshmitare për atë që tha Kastrati, mirëpo përkthyesi që e shoqëronte atë ditë dhe dhoma e mbushur me policë mund të paraqiteshin në atë cilësi.

“Ajo që kam thënë unë dhe ajo që më është përkthyer mua, dallon esencialisht prej të thënave të dëshmitarit”, deklaroi prokurorja Bamie.

Në ambientin e kinemasë ABC 1 i pari i cili dëshmoi ishte Lirim Mustafa, pronar i farmacisë “Liri-MED”, e cila në vitin 2007 kishte fituar një tender emergjent dhe kishte dorëzuar faturat para se të jetë në gjendje të bëjë dorëzimin e mallit si rezultat i vonesës.

Për këtë vonesë “Liri-MED” nuk është ndëshkuar dhe pse në bazë të principeve themelore do të duhej, tha prokurorja. Kontrata është valide dhe në ditët e sotme.

Përgjatë tërë procesit të dëshmimit, Mustaf shumicës së pyetjeve  u përgjigjej me “nuk më kujtohet”.

Lidhur me raportin që ka pasur me të pandehurin Tolaj, Mustafa u përgjigj se ky raport ka qenë vetëm profesional.

Në këtë rast prokurorja Bamie shpalosi një letër që Tolaj i kishte dërguar Zehadin Gashit nga AKPM-ja, ku ka kërkuar që AKPM-ja të lëshojë licencën e importit për “Liri-MED”.

Në seancë po ashtu dëshmuan edhe Hamëz Zeqiraj firma e të cilit në vitin 2007 kishte fituar një tender emergjent dhe Fatime Aliu, drejtoreshë e Departamentit Ligjor në Ministrinë e Shëndetësisë.

Fatime Aliu dëshmoi për periudhën kur “Jona-MED” kishte inicuar padi civile kundër Ministrisë së Shëndetësië dhe kjo dëshmitare në seancat gjyqësore është paraqitur si përfaqësuese ligjore e Ministrisë.

Ajo tregoi se edhe përpos përpjekjes së gjyqtares së rastit nuk është arritur pajtim gjyqësor midis dy palëve, kurse vendimi final ka rezultuar me aprovimin e kërkesëpadisë së “Jona-MED”. 

Seanca e rradhës u caktua për ditën e mërkurë.