Rizgjedhja e Pecit u Sfidua Nga Interneti

E vlerësuar si njëra ndër ngjarjet kryesore në drejtësi, zgjedhja e kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, që e rikonfirmoi Enver Pecin, ishte paraparë të mbahej pa ndonjë problem.

Mirëpo, ato u paraqitën atëherë kur njëri nga anëtarët e këshillit, përkatësisht kryetari i Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj, shfaqi pakënaqësinë e tij.

Mekaj thoshte se atij i ishte mohuar e drejta për të kandiduar për kryesues.

Madje, për këtë çështje, Mekaj disa ditë me parë i ishte drejtuar këshillit me një letër.

Në letrën e cila iu shpërnda anëtarëve të KGjK-së, ndër të tjera, shkruhej se procesin e kanë përcjell një varg parregullsish.

“Ato e bëjnë këtë proces jotransparent, të parregullt dhe të kundërligjshëm, e që në rastin konkret ka rezultuar me shkeljen e të drejtave të mia, e sigurisht edhe të anëtarëve të tjerë për t’u kandiduar dhe për të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në konkurrimin për kryesues te KGJK-se”, shkruhet në letrën e Mekës.

 
Sali Mekaj  

Mekaj thotë se shkeljet kanë ndodhur në mbledhjen e datës 21 shkurt kur ishte vendosur për hapjen e procedurës së kandidimit për kryesues.

Sipas tij, është shkelur rregullorja për organizimin dhe veprimtarinë e KGJK-së për shkak se orari i mbledhjeve të KGJK-së nuk është publikuar në web faqen e KGJK-se, në mënyrë që anëtarët të njoftohen me datën e mbajtjes.

Ai po ashtu në letër thotë se edhe ftesat me shkrim nuk janë dorëzuar tri ditë para mbledhjes, siç është e përcaktuar.

Ankesa kryesore e Mekës qëndron tek pretendimi i tij se formulari për të aplikuar për kryesues të KGJK-së nuk i ishte dërguar me kohë, gjë që atij i kishte pamundësuar aplikimin.

Mirëpo, ky fakt u mohua nga ana e drejtorit të sekretariatit të KGJK-së, Albert Avdiu. Sipas tij, të gjitha shkresat janë dorëzuar me kohë tek të gjithë anëtarët. “Ne me datën 26 shkurt i kemi dorëzuar ftesat në e-mailat e të gjithë anëtarëve të KGJK-së”, ka thënë Avdiu.

 
Albert Avdiu  

Avdiu për të dëshmuar se e-maili është dërguar tek te gjithë anëtarët e KGJK-së ofron si dëshmi një e-mail të printuar në të cilin shihet dokumentacioni për kandidim i dërguar te të gjithë anëtarët e KGJK-së, përfshirë këtu edhe te Mekaj.

Ky i fundit i tha gazetës se sërish e ka kontestuar këtë e-mail pasi, sipas tij, ai ka arritur ta hapë atë tek më 28 shkurt kur në Gjykatën e Apelit e cila është rinovuar së fundmi është lëshuar në funksion interneti.

“Unë po ju them që aplikacioni ka ardhur në emailin tim më 27 shkurt, e kam hapur ditën kur është bërë e mundur ta hap (28 shkurt) pasi në zyrën time nuk ka pasur të instaluar internet”, tha Mekaj.

Për ta vlerësuar se kush kishte të drejtë në këtë rast, Këshilli Gjyqësor i Kosovës e nxori në votim këtë çështje. Mirëpo, rezultatet e votimit nuk i dhanë të drejtë Sali Mekajt dhe pas kësaj u vazhdua me zgjedhjen e kryesuesit të KGJK-së.

Dy kandidatët Valdete Daka dhe Enver Peci paraqitën platformat e tyre për reformën në drejtësi ndërsa përballja me vota nxori një rezultat 8 me 2 në favor të Enver Pecit.

Ky i fundit pasi morri një mandat të ri prej 3 vitesh në një prononcim për gazetën u zotua se nëse platforma e tij nuk realizohet, atëherë ai do japë dorëheqje.

“E kam thënë edhe më herët që do të japë dorëheqje nëse nuk rriten pagat dhe po u premtoj që do ta rishqyrtoj pozicionin tim nëse nuk realizohen disa rezultate të cilat janë të kapshme”, tha Peci.

Ndër premtimet të cilat Peci i dha para se të futej në procesin e votimit ishin angazhimi e tij rreth gjykatës në veri të Mitrovicës, rritja e transparencës së gjykatave, kërkimi i llogaridhënies nga gjykatësit të cilët nuk e kryejnë punën ashtu siç duhet si dhe një tentativë për ta ndërruar kushtetutën e vendit në nenin 108 i cili përcakton përbërjen e KGJK-së me kërkesën që në përbërjen e këtij trupi të ketë më shumë anëtarë të cilët zgjedhen nga gjyqësori. Aktualisht Kuvendi zgjedh shtatë anëtarë të këshillit gjyqësor, ndërsa 5 gjyqësori.