Thaçi Përmend Një Dokument të Ashton-it. Kjo Mohon

Kryeministri Hashim Thaçi, përmes një mocioni të iniciuar nga partia e tij, që kaloi në Kuvendin e Kosovës me votat  e shumicës, raportoi para deputetëve të martën për rundin e gjashtë të dialogut Prishtinë-Beograd, që u mbajt në Bruksel, më katër mars.

Thaçi tregoi se gjatë këtij rundi, më së shumti u diskutua rreth asociacionit të komunave serbe, një trup që pritet ta rregullojë gjendjen në veriun e Kosovës, të dominuar nga serbët.

Thaçi tha se asociacioni do të ketë kompetenca të njëjta me Asociacionin e Komunave të Kosovës, do të jetë në pajtim me Kushtetutën, Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe Konventën Europiane të Vetëqeverisjes Lokale.

Serbët asociacionin për të cilin po provohet të arrihet marrëveshje, e quajnë bashkësi të komunave serbe, ndërsa e kanë brenda platformës së bisedimeve me Prishtinën.

Duke folur për asociacionin, Thaçi tha se atë do ta përbëjnë kryetarët e komunave në veri që kurrsesi nuk do të zgjidhen drejtpërdrejt.

 “Baronesha Ashton, pasi ka dëgjuar palët, ka ofruar një draft-dokument rreth asociacionit të komunave serbe

Raportimi ndodhi, dy ditë përpara se Kosovën ta vizitojë Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Catherine Ashton dhe tetë ditë para se të vazhdojë rundi i shtatë i dialogut që konsiderohet si takim që mund të prodhojë rezultatet e para të dialogut politik.

Baronesha Ashton do të vijë në Kosovë të enjten.

Gjatë adresimit para deputetëve, Thaçi tha se baronesha Ashton, më 4 mars, pasi ka dëgjuar palët, ka ofruar një draft-dokument rreth asociacionit të komunave serbe.

Ekzistimin e draft-dokumentit të tillë e ka demantuar për Gazetën Jeta në Kosovë, Maja Kociancic, zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

“Nuk ka një draft dokument. Me të dy palët po i diskutojmë elementet e marrëveshjes së mundshme”,tha Kociancic.

Gjatë raportimit, kryeministri Thaçi bëri me dije se do të kërkojë marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim marrëdhëniesh me Serbinë, një marrëveshje që sipas tij do të përfshijë zgjidhjet për të gjitha çështjet e hapura mes dy shteteve. 

“Prishtina, e cila deri më tani ka insistuar që çdo zgjidhje të jetë në përputhje me kornizën e saj ligjore, më në fund është dorëzuar”

Thaçi tha se do të insistojë që marrëveshja të nënshkruhet nga palët dhe ta ketë si garant të saj Bashkimin Europian dhe mbështetëse të fuqishme t’i ketë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas Thaçit, edhe zbatimi i të gjitha pikave të dakorduara të marrëveshjes duhet të jetë i afatizuar.

Baronesha Ashton, u takua dje me krerët e shtetit serb, Daçiq, Nikoliq dhe Vuçiq.

“Prishtina, e cila deri më tani ka insistuar që çdo zgjidhje të jetë në përputhje me kornizën e saj ligjore, më në fund është dorëzuar”, tha pas takimit të së hënës, presidenti Nikoliq duke u shprehur optimist për arritjen e një marrëveshje më 20 ose 28 mars.

Thaçi në Kuvend, këtë deklaratë të Nikoliqit, e quajti të pavërtetë.

“Është një gënjeshtër e kulluar tradicionale serbe. Dihet se ata gjithmonë humbjet i kthejnë në fitore”, tha Thaçi, duke siguruar deputetët se asociacioni i komunave serbe, do të jetë si ai i komunave shqiptare.

 “Nëse është si asociacioni i komunave shqiptare, pse nuk bëhet pjesë e tij?”, pyeti Thaçin deputeti i “Vetëvendosjes” Glauk Konjufca, duke e quajtur shumë të rrezikshme tendencën e dyfishimit të institucioneve.

Debati vazhdoi, derisa Thaçi ftoi përfaqësuesit e subjekteve parlamentare që të gjitha shqetësimet rreth dialogut për veriun, t’ia paraqesin të enjten baroneshës Ashton.

Disa nga deputetët në fillim kundërshtuan kërkesën për raportim të Thaçit me arsyetimin se do të duhej të përgatiteshin.

Ndërkohë, edhe pse Thaçi ka folur për dokumentin e Ashtonit, ka disa javë që Gazeta Jeta në Kosovë kërkon qasje në të gjitha marrëveshjet dhe dokumentet e negociuara gjatë “procesit të normalizimit”, por Zyra e Kryeministrit ka refuzuar të lëshojë çfarëdo informacioni të detajuar.