I Riu Gjeti Vdekjen në Rezervuar Nafte, të Dënuarit Apelojnë

Në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, kolegji i gjyqtarëve ka shqyrtuar, javën që shkoi, ankesën kundër aktgjykimit me të cilin të pandehurit Avni Salihu dhe Sabri Salihu janë shpallur fajtorë për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Avni Salihu, si person përgjegjës përkatës në subjektin afarist N.P.T “Bujari” me seli në Ferizaj, në kuadër të së cilës ka vepruar pa licensim Njësia Punuese “AS-Petrol” në rrugën Prizren-Shtime, nga pakujdesia dhe duke menduar se lehtë do t’i shmanget pasojës nuk i ka ndërmarrë masat e duhura të mbrojtjes në punë. Ndërkaq për të punësuarit e këtij subjekti afarist nuk janë siguruar pajisjet e duhura për mbrojtje kundër helmeve dhe gazrave, e viktimë e këtij moskujdesi ishte punëtori 17-vjeçar Shqipërim Jashari.

Kurse, Sabri Salihu është shpallur fajtor meqë në datën 29 nëntor 2009, personalisht kishte marrë vendim që ta pastrojë rezervuarin e naftës dhe e kishte urdhëruar Shqipërim Jasharin që të hynte brenda në rezervuar, pa u pajisur kundër helmeve dhe gazrave. Kështu, si rezultat i mungesës së oksigjenit dhe ngopjes me monoksid karbon që është toksik dhe vdekjeprurës, Shqipërim Jashari ishte dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj ku dhe kishte vdekur. 

“Tentoni të imagjinoni veten tuaj në vendin tim, edhe pse e kanë pasur numrin e tim të telefonit, gati për dy orë nuk më kanë lajmëruar. Agim Jashari

Sabri Salihu kishte deklaruar se në Qendrën Emergjente në Ferizaj ishte bërë krim, sepse si rezultat i mossuksesit të ofrimit të ndihmës mjekësore djali kishte ndërruar jetë. Një deklarim i tillë është rrëzuar nga raporti i autopsisë.

Katërmbëdhjetë muaj pas ditës kritike, kishte filluar procedimi i lëndës i cili përfundoi duke dënuar Avni Salihun me 6 muaj burg, kurse Sabri Salihun me 6 vjet burg. Megjithatë një vendim i tillë ka inicuar pakënaqësi të palëve procedurale, andaj ato kanë ushtruar ankesë.

Efekti final i ankesës ka qenë kthimi i lëndës në rigjykim, ku është rikonfirmuar fajësia e të pandehurëve, megjithatë lartësia e dënimit është ndryshuar. Kështu Avni Salihu është dënuar me 1 vit, kurse Sabri Salihu me 4 vjet burgim. Të pakënaqur nga vendimi i dytë, palët kanë atakuar atë duke shpalosur ankesën, për shqyrtimin e së cilës kompetente tani është Gjykata e Apelit në Prishtinë.

“Ajo që ndodhi atëherë ishte një lloj Gërdeci, veçse këtu ndodhi me 1, kurse në Gërdec me 100 [viktima]. Agim Jashari. 

Përpos faktit se rasti është shndërruar në një maratonë katërvjeçare, e cila burim reflektimi ka dhimbjen që daton nga humbja e fëmijës, familja e të miturit të ndjerë e me theks të veçantë babai i tij – Agim Jashari shpreson se drejtësia do të vendoset në vend.

“Tentoni të imagjinoni veten tuaj në vendin tim, edhe pse e kanë pasur numrin e tim të telefonit, gati për dy orë nuk më kanë lajmëruar për rastin. Pas 2 orë e 40 minuta kam shkuar në Qendrën e Emergjencës në Ferizaj për të parë trupin e djalit tim pa shenja jete. Edhe sot e kësaj dite të pandehurit nuk më kanë kërkuar falje”, deklaroi Agim Jashari para panelit.

“Ajo që ndodhi atëherë ishte një lloj Gërdeci, veçse këtu ndodhi me 1, kurse në Gërdec me 100 [viktima]. Të gjithë këto janë të vërteta e unë nuk mund t’i heq nga koka ditë e natë”, shtoi i ati i 17-vjeçarit, që humbi jetën.

Gjykata e Apelit do t’i njoftojë me shkrim palët nëse rasti do të kthehet në rigjykim, apo jo.