AAK Shfrytëzon Shërbimet Komunale për Aktivitete Partiake

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës Deçan dhe Junik, partia që udhëheq këto dy komuna, shfrytëzon zyrat komunale për marrëdhënie me publikun duke shpërndarë njoftime për aktivitete partiake.

Dy kryetarët, Rasim Selmanaj i Deçanit dhe Agron Kuçi i Junikut, thonë se bëhet fjalë vetëm për “gabim teknik”. Por, veprimi është kritikuar nga shoqëria civile dhe këshilltarët opozitarë.

Zyra për Informim e Kryetarit të Deçanit, njoftonte se të enjten, më 7 mars, në zyrat e degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do të mbahej takim me strukturat e saj në lidhje me aderime të aktivistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Vetëvendosjes.

Kryetari i Junikut, më 3 mars, duke përdorur mjetet komunale të komunikimit, njoftonte anëtarët e AAK-së që të merrnin pjesë në punimit e kuvendit të gjashtë zgjedhor në këtë degë partie.

Më 11 shkurt, në faqen zyrtare të kuvendit komunat të Junikut, figuronte edhe lajmi për rezultatet e kuvendit zgjedhor të forumit të gruas së degës së AAK-së.

Adem Lushaj, nga shoqëria civile në Deçan, thotë se nuk është dashur të ndodhë përdorimi i aseteve komunale për nevoja partiake.

“Partitë politike duhet të kenë kujdes rreth kësaj çështjeje, për të mos shfrytëzuar institucionin komunal”, tha Lushaj, drejtori i ojq-së SHIP.

Pohimin e krerëve të këtyre dy komunave se bëhet fjalë vetëm për një gabim teknik, Lushaj e ka vlerësuar pasi, tha ai, “vetë pranimi i këtij gabimi nga ana e tyre ka anën pozitive”.

“Kjo ka rënë si zile për ta”, tha Lushaj.

Jeton Mushkolaj, këshilltar i Lidhjes Demokratike të Kosovë në opozitë në Deçan, thotë se ky përdorim i kanaleve komunale të komunikimit nuk është risi. “Të mirat e komunës i ka vënë në shërbim të vetin”, tha Mushkolaj.

Por Rasim Selmanaj, kryetari i Deçanit, thotë se veprimi i zyrtares për media Yllarta Thaqi është vetëm një gabim teknik.

“Nuk e di prej nga e ka dërguar njoftimin”, thotë Selmanaj. “Normalisht, unë i kam thënë zyrtares për informim që të dërgojë e-mail prej adresës së partisë, por nëse ka ndodhë, është një gabim teknik që nuk është dashur të ndodhë dhe nuk do të përsëritet”.

Zyrtarja për marrëdhënie me publikun në Komunën e Deçanit, Yllarta Thaqi, e cila kishte bërë ftesën për media në emër të partisë në pushtet AAK, nuk është lajmëruar në telefon.

 
Njoftimi i komunës së Junikut për aktivitetet e AAK-së  

Edhe Visar Shehu, këshilltar komunal nga LDK në Junik, kritikoi komunën për keqpërdorim të aseteve zyrtare.

Sipas tij, “ekzekutivi i Junikut e barazon komunën me partinë”.

Por Agron Kuçi, kryetar i komunës së Junikut, thotë se ka ndodhur edhe këtu gabim teknik.

“Kjo çështje po politizohet dhe kjo sinqerisht nuk ka kuptim”, tha ai.

Zyrtarja për marrëdhënie me publikun në Junik, Drenushë Gaxherri, nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje.