Lëndohet Rëndë Një Punëtor i Autostradës

Një punëtor kosovar i kompanisë turke “Enka”, e cila së bashku me kompaninë amerikane “Bechtel”, e ndërton autostradën e Kosovës “Ibrahim Rugova”, është lënduar rëndë të enjten, rreth orës 11.

Ngjarja ka ndodhur në zonën industriale në Fushë-Kosovë, ku janë duke u zhvilluar punime për ndërtimin e trasesë, ka konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë, zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti.

Policia nuk është informuar nga punëkryesi, por nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), ku i lënduari ishte dërguar.

“Informatën lidhur me rastin, policia e ka marrë në orën 12:05. Dhe jemi njoftuar nga QKUK-ja” tha Ahmeti.

Një mjeke në Repartin e Otorinolaringologjisë (ORL) bëri të ditur për Gazetën JnK se punëtori është lënduar rëndë në pjesën e laringut.

“Pasi është operuar në Klinikën e Emergjencës në QKUK është dërguar në Klinikën e Otorinolaringologjisë, ku ndodhet i shtrirë”, tha mjekja.

Policia ka dalë në vend të ngjarjes dhe po kryen hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit.