Sërish Protesta Kundër “Faljes” së Tokave Manastirit

Qindra protestues fillimisht kanë marshuar nëpër qendër të Deçanit, ndërsa në duar mbanin pankarta me mbishkrimet “Me çfarë ligjesh po falen tokat tona”, “Parlament, Qeveri dhe Presidencë mbroni Kushtetutën”, etj.. Më pas, një pjesë e tyre kanë filluar marshimin në drejtim të Manastirit, por janë penguar nga forcat policore lokale.

Ndërkaq, në rrugën që shpinte në drejtim të manastirit kishte forca të shumta të njësisë speciale të Policisë së Kosovës, të përgatitura për të reaguar në rast nevoje.

Adem Lushaj, nga Këshilli Organizativ, tha se nuk do të pajtohen asnjëherë me vendime të cilat janë politike dhe diskriminuese.

Disa qindra veta kanë protestuar në qendër të Deçanit | Foto: Naim Haxhosaj

“Edhe njëherë ua bëjmë me dije të gjitha institucioneve vendore, si dhe atyre ndërkombëtare se vendimet të cilat merren në dëm të qytetarëve tanë, janë të papranueshme”, ka thënë Lushaj.

Ai paralajmëroi vazhdimin e protestave “Kurse përgjegjësinë do ta bartin institucionet e Kosovës, si Parlamenti, Qeveria dhe Presidenca”, është shprehur Lushaj, para masës së tubuar në qendër të Deçanit.

Ndërkaq në anën tjetër qytetarët fajësojnë partitë politike, Komunën e Deçanit dhe Shoqërinë Civile, të cilët sipas tyre nuk kanë bërë sa duhet kur është dashur të bëhet.

Emrush Mazrekaj nga Prilepi ka thënë se një reagim të tillë është dashur që të ndërmarrin të gjithë së bashku përpara se të bëheshin “pazaret” e tilla.

Forcat speciale në gatishmëri | Foto: Naim Haxhosaj

“Kjo protestë e forma të tjera të reagimit është dashur që të bëhen më herët…Tash është e kotë dhe është vonë, sepse këto punë veç janë kry”, ka tërhequr vërejtjen Mazrekaj.

Ai kundërshtoi ashpër dhe ndërrimin e lokacionit të fabrikës së mjaltit, e cila para një viti kishte filluar të ndërtohet në një tjetër lokacion, pas dhënies së një donacioni për ndërtim të saj nga Komisionit Evropian prej 530 mijë eurosh.

“Gabimi i madh prej komunës është bërë kur kanë pranuar t’i marrin do pare e ta ndërtojnë fabrikën e mjaltit tjetërkund”, theksoi Mazrekaj.

Ndërsa në fund të protestës, protestuesit janë shpërndarë të qetë.