Bajrush Xhemajli Në Ndeshje Tjetër Komunikacioni

Ky shkrim fillimisht është botuar më 5 mars 2013. 

Rreth orës 16 e 30, të martën, afër ndërtesës së Prokurorisë së Shtetit, vetura në të cilën ndodhej ish-kryetari i Ferizajt, Bajrush Xhemaili, është përfshirë në një ndeshje komunikacioni.

Menjëherë pas incidentit, Xhemajli është larguar nga vendi i ngjarjes. 

Fillimisht Xhemajli, i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, mohoi të ketë qenë në veturë.

Mirëpo, pasi ai është njoftuar se Gazeta Jeta në Kosovë ka qenë në vendin e ngjarjes në momentin e ndeshjes dhe ai është fotografuar duke u larguar nga vendi i ngjarjes, ai pranoi se ishte në veturë.

“Po kam qenë, por jam larguar menjëherë pas ndeshjes për shkak se nuk desha të krijohen probleme”, tha Xhemajli për Gazetën Jeta në Kosovë. “I thash shoferit tim, kqyr mos bën probleme, pasi ata filluan të fjalosen me palën tjetër”.

Vetura e tipit Renault, ngjyrë e bardhë, është pronë e Partisë Demokratike të Kosovës dhe vozitej nga Behar Sekiraqa. Vetura ka pësuar dëmtime të vogla. 

 
Bajrush Xhemajli largohet disa çaste pas aksidentit | Foto: Njomza Salihi  

 

Xhemajli ka treguar se ai sapo kishte dalë nga zyrat e partisë dhe ishte duke shkuar në shtëpi me vozitësin, pasi, tha ai, “vetë nuk kam vozitur qe katër vjet”.

Katër vjet më parë, në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, ish-kryetari i komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemajli, akuzohet se kishte shkaktuar një aksident në të cilin kishte humbur jetën Labinot Rrustemi.

Aksidenti në fjalë ishte hetuar nga Prokuroria e Qarkut në Prishtinë e cila pas hetimeve të kryera në vitin 2009, kishte ngritur aktakuzë me të cilën e akuzonte atëherë kreun e Ferizajt për veprën penale të  rrezikimit të trafikut publik. 

Provat e dala nga analiza e ekspertit Yll Koshi kishin nxjerrë në pah se shkaktari i këtij aksidenti ishte vetura të cilën e drejtonte Bajrush Xhemajli e cila nuk i ishte përshtatur kushteve dhe shpejtësisë së rrugës.

Xhemajli i cili edhe vet ishte lënduar në këtë aksident, gjatë gjykimit vendosi të mbrohej në heshtje, përderisa në fund të procesit trupi gjykues i drejtuar nga gjykatësja Tomka Berisha e shpalli atë fajtor dhe e dënoi me 2 vite e 6 muaj burgim. 

Këtë muaj, gjykata kushtetuese e vendit ka urdhëruar rigjykimin e tij.  

 

Bajrush Xhemajli duke u larguar nga vendi i ngjarjes | Foto: Njomza Salihi