Gati 60 Mijë Aplikime për Statusin e Ish-Luftëtarit

Një ditë pasi është përmbyllur afati për aplikimin për njohjen e statusit të veteranit, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve, kryetari i Komisionit Agim Çeku, ka bërë të ditur se janë dorëzuar 51 mijë  835 aplikacione për njohjen e statusit të veterani të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 4 mijë 489 persona kanë aplikuar që t’iu njihet statusi i invalidit, kurse 2 mijë e 597 familje apo familjarë kanë aplikuar që t’iu njihet statusi i dëshmorit të kombit për të rënët e tyre.
 
Megjithatë, afati për dorëzimin e aplikacioneve do të zgjatet deri më 15 mars.
 
“Këto të dhëna nuk janë të plota përfundimtare.  Nga tereni kemi kërkesa të ndryshme, që jo të gjithë kanë arritur të dorëzojnë aplikacionet, duke mbledhur dëshmi të ndryshme, kanë kërkuar nga Komisioni që deri më 15 mars t’i pranoj aplikacionet që mund të vijnë. Është një dallim i madh, diku rreth 5 mijë aplikacione janë tërhequr më shumë sesa që janë dorëzuar”, ka bërë të ditur kryetari i Komisionit, Çeku.
 
Pas mbylljes së afatit për aplikim, Komisioni do të punojë në përcaktimin e kritereve, kategorizimin e aplikuesve dhe përcaktimin e kritereve për çdo kategori, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.
 
“Komisioni e ka një punë të vështirë para vetes, por do të jemi shumë të kujdesshëm që vërtetë të gjithë ata që pretendojnë të kenë statusin e veteranit, t’iu përcaktohet kategoria sipas kontributit që e kanë bërë në luftë”, ka thënë kryetari Çeku.