“Nuk të Do Shefi, Nuk Fiton Tender”

Në ambientet e kinemasë ABC1, Gjykata Themelore në Prishtinë, të enjten vazhdoi seancën kundër Ilir Tolajt, ish-sekretar permanent i Ministrisë së Shëndetësisë; Bujar Bukoshit, ish-ministër i Ministrisë së Shëndetësisë dhe pesë të pandehurve të tjerë, të cilët po akuzohen për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve.

Që në fillim të seancës, trupi gjykues shpalli aktgjykimin, por jo për të gjithë të pandehurit por vetëm për Alban Thaçin, kundër të cilit prokurorja në seancën e fundit kishte hequr dorë nga akuza.

Akuzat kundër Alban Thaçit, u refuzuan nga trupi gjykues në aktgjykimin e tyre. Kjo pasi që prokurorja kishte hequr dorë.

Seanca vazhdoi me marrjen në pyetje të Lutfi Mulakut, dëshmitari që kishte mbetur pa e përfunduar dëshminë e tij nga seanca e fundit. Për të pyetjet i vazhdoi mbrojtja e Tolajt.

Mulaku, dikur punëtor në Ministrin e Shëndetësisë, dëshminë e tij e vazhdoi duke treguar se ai nuk kishte qenë personi që nënshkruante, zgjaste apo ndërpriste kontratat që i lidhte ministria.

Ai tha se problemi kryesor me të cilin ata ishin përballur në vitet 2006-07 ishte mungesa e buxhetit për mbulimin e kontratave. Sipas tij, ministria kishte nënshkruar kontrata deri në 15 milion euro ndërsa nuk kishte buxhet më shumë se 3 milion euro për shpenzime në materiale dhe barna. “Buxhet kishte vetëm 3 milion ndërsa kishte kontrata deri në 15 milion”.

Mulaku tha se ishte ai i pari që kishte njoftuar sekretarin permanent për problemet me “Paracetamol”, pasi që ai ishte kristalizuar. Deri tek kërkesa për heqjen nga depoja e ministrisë kishte ardhur pasi që sipas Mulakut ishin bërë analizat ilaçit.

Dëshmitari i radhës, njëherësh i dëmtuar në këtë çështje, ishte Armend Ramadani, pronar i firmës farmaceutike “Yess Pharm”.

Dëshmitari Ramadani tregoi se kishte pasur kontrata gjatë gjithë kohës me MSh-në, por në vitin 2006, një kontratë që e kishte pasur ishte përmbushur vetëm 25% e saj, ndërsa shtoi se ai në depon e tij kishte krijuar stoqe të barnave të cilat ministria kur nuk i kishte porositur. Mosrealizimi i kontratës i kishte sjell probleme edhe me furnizuesin.

Ramadani tregoi se si problemin e tij me MSh-në e kishte raportuar edhe në zyrën e ShBA-së në Prishtinë, e cila tha se më pas ka ndërhyrë dhe ai së bashku me ministrinë kishin arritur deri tek një memorandum mirëkuptimi.

Ai tregoi se “Yess Pharm” më vonë kishte pas edhe dy kontrata një plus një, por që asnjëra nuk ishte vazhduar nga MSh-ja.

Ai tutje tregoi se si përfaqësuesi i tyre kishte shkuar në ministri në takimin që ishte mbajtur me operatorë ekonomik dhe që kur ishte kthyer kishte qenë e shqetësuar nga fjalët që kishte dëgjuar.

“Alberta Grantolli, ka marrë pjesë në takim dhe kur ka ardhur nga takimi ka qenë shumë e shqetësuar pasi që ministri (Bujar Bukoshi) i kishte thënë direkt se nëse ju na paditni, ju nuk do të merrni kontrata në Ministrinë e Shëndetësisë”.

“Alberta më pas i ka thënë se ajo është vetëm një procedurë gjyqësore dhe se nuk e di si do të jetë fundi” tha Armend Ramadani. I njëjtit shtoi se kontratat pas takimit nuk ju vazhdua.

Në vitin 2010, kur kompania e dëshmitarit kishte kontrata me MSh-në, ai tha se ata kishin pasur shumë vonesa në marrjen e licencave të importit për produktet medicinale. Në një rast dëshmitari tha se kishin pritur deri në 40 ditë për ta marrë licencën.

E në anën tjetër për vonesat që po i shkaktoheshin po për shkak të mosefikasitetit të MSh-së, dëshmitari tregoi se është dashur të paguante penalltitë e kontratës.

Prokurorja i tregoi dëshmitarit një dokument i cili ishte vazhdim i kontratës një plus një, e që ishte nënshkruar nga Ekrem Maliqi si shef i prokurimit, por jo edhe nga ministri i atëhershëm, Bukoshi. Dëshmitari tha se për herë të parë po e shihte një dokument të tillë.

Dëshmia e tij vazhdoi me atë se ai në më pas kishte marrë edhe një kallëzim penal por që asnjëherë nuk ishte marrë në pyetje ai ose ndonjë punëtor i tij nga policia apo prokuroria për kallëzimin.

Rrjedhimisht pranoi se nuk kishte pas ndonjë konsekuencë ligjore nga ai kallëzim por tha se ka pas konsekuenca financiare, por që nuk arriti ti tregonte se cilat ishin ato.

Mbrojtja u interesua të dinte më shumë për fatin e padisë në Gjykatën Ekonomike që kishte bërë “Yess Pharm” kundër MSh-së. E dëshmitari tregoi se gjykata e kishte refuzuar padinë, ndërsa ai kishte vazhduar çështjen me ankesë.

Milaim Avdullahu, pronar i kompanisë farmaceutike “Santa Farm”, ishte dëshmitari tjetër që tregoi për trajtimin që kishte pas kompania e tij nga MSh-ja.

“Deri në 2009-në raporti me MSh-në ka qenë i mirë edhe pse unë në vitin 2006-07 nuk isha shumë aktivë me kompaninë time”, tha Avdullahu.

Ai dëshmoi se si në vitin 2009 gjërat kishin filluar keqësoheshin pasi që edhe pse ai i plotësonte kriteret nuk i jepej tenderi.

Dëshmitari konkretisht tregoi se si për ilaçin “Fludorabin”, ai kishte ekskluzivitetin në Kosovë pasi që edhe prodhuesi në botë ishte i vetmi dhe kishte patentë për atë prodhim. Por kur ministria kishte hap tender për këtë ilaç, edhe pse kompania e dëshmitarit kishte konkurruar tenderi ishte anuluar 5 herë me radhë.

Arsyet e anulimit të tenderit çdo herë kishin qenë se nuk kishte pas numër të mjaftueshëm të ofertuesve në atë tender. Por sipas dëshmitarit kjo nuk ishte arsye pasi që ministria kishte mundur që ta hiqte nenin që ndalon jepen e tenderit kur ka vetëm një ofertues, kjo pasi që ishte rast i veçantë meqë vetëm një kompani në botë i prodhon ato ilaçe.

Avdullahu, tha se në të gjithë anulimet e tenderit, atij nuk i është dhënë kohë, 8 ditë sa e parasheh ligji, që ai të parashtroi ankesë në OShP, por zakonisht tenderi është shpallur menjëherë pas dy ditësh. Ai kujtoi një rast kur atë ditë ishte anuluar dhe atë ditë ishte shpallur tenderi për të njëjtin bari.

Në rastin e tenderimit të pestë tha se kishte pritur plotë 124 ditë për një përgjigje nga MSh-ja, por me që nuk e kishte marrë përgjigjen kishte shkuar tek zyra e prokurimit ku kishte takuar Zenel Kuçin, ushtruesin e detyrës së udhëheqësit të zyrës.

Kuçit, dëshmitari i kishte treguar se nëse nuk merr përgjigje do ta paraqes ankesën në OShP. Dhe meqë nuk kishte marrë përgjigje të nesërmen ai kishte shkuar në OShP dhe e kishte paraqitur ankesën se pse nuk po merrte përgjigje lidhur me tenderin. Ankesën e tij më pas e kishte quar edhe në MSh.

“Zenel Kuçi, atë ditë më ka thirr në telefon pas orës 6 edhe më tha a mund të takohemi për kafe dhe unë pranova. Ai e caktoi vendin e kafes në Pejton, te Kafja e Bardhë”.

“Kur u takuam aty sendi i parë që më tha ishte ‘me të vërtet e bërë ankesën në OShP, unë i tregova që po. Ai pastaj më tha ‘me këtë ankesë mua mund të ma marrin licencën’, unë i thash çka tash nuk mundem më”, tregoi Avdullahu për takimin me zyrtarin e MSh-së.

Tutje, ai tregoi sesi Zenel Kuçi i kishte thënë se ai po kontrollohej nga shefi i tij dhe se vetëm në këtë kafe kishte pak konfidencialitet. “Unë jam në kontroll aq të madh nga shefi im sa që vetëm në këtë vend kam konfidencialitet”, rikujtoi dëshmitari fjalët e Zenel Kuçit.

Por, kur dëshmitari e kishte pyetur se pse firma e tij nuk po fitonte tender, Kuçi i kishte thënë se atë nuk po e donte shefi i tij (Ilir Tolaj). “E pyeta cila është arsyeja që unë nuk po fitoj tender. Ai më tha “ty nuk po të do shefi im.”

Në fund dëshmitari tha se Kuçi i kishte thënë se po pret që ta tërheq ankesën deri të nesërmen në orën 11, por që dëshmitari nuk e kishte bërë. Ndërsa OShP-ja më pas kishte urdhëruar MSh-në që ta shpall vendimin e saj lidhur me tenderin në fjalë.

Vendimin i MSh-së edhe për herën e pestë kishte qenë anulim i tenderit.

Seanca me të njëjtin dëshmitar do të vazhdojë të premten.