Inspektori Akuzohet për Shpërdorim të Detyrës Zyrtare

Prokurori Esat Ademi, në nëntor të vitit 2012, ka ngritur propozim akuzë ndaj Baki Azemit, inspektor i ndërtimit në Komunën e Gjilanit.

Azemi akuzohet se gjatë vitit 2011 e ka shpërdorur pozitën zyrtare, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete. 

Në lagjen “Arbëria” në Gjilan, ky inspektor e kishte takuar Zijadin Isenin duke ndërtuar dy shtëpi pa leje. Por, ai nuk kishte marrë veprime që sipas ligjit ka qenë i detyruar të ndërmarrë; nuk kishte lëshuar procesverbal, vërejte mbi inspektimin e bërë dhe ndalimin e punimeve pa leje ndërtimi.

Qytetari në fjalë i kishte ndërtuar dy shtëpi pa leje, duke iu shmangur taksave për leje ndërtimi në shumën prej 2 600 eurosh, vlerë për të cilën është dëmtuar buxheti i Komunës së Gjilanit.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, konfirmoi për Gazetën Jeta në Kosovë se rasti ndaj inspektorit Baki Azemi është iniciuar nga vetë Komuna e Gjilanit.

“Kallëzimi penal është bërë në prokurori, pas ankesës së një qytetari në komunë”, saktësoi Mustafa.

Ai tregoi se Komuna e Gjilanit, edhe më herët ka lajmëruar raste të tilla, siç është rasti i dyshimeve për keqpërdorime në kompaninë për menaxhimin e mbeturinave “Higjiena”. Edhe ky rast tashmë ndodhet në gjykatë.