Shpërthim në Banesën e Një Serbi në Mitrovicë

Avni Sahiti nga Zyra për Informim e Policisë në Mitrovicë tha se shpërthimi i mbrëmshëm që është raportuar rreth orës 23:10, ka ndodhur në një banesë në katin e dytë të një ndërtese në rrugën “Sutjeska”, pronar i së cilës është serbi me inicialet N. K.

“Bëhet fjalë për një mjet shpërthyes, i cili dyshohet të jetë hedhur në ballkonin e banesës”, tha Sahiti.

Nga ky shpërthim nuk ka pasur të lënduar, kurse dëmet materiale kanë qenë të konsiderueshme.

Pas incidentit, në vendin e ngjarjes ka dalë njësia e zjarrfikësve për shuarjen e zjarrit.

Policia bën të ditur se deri më tani, lidhur me këtë rast nuk ka asnjë të arrestuar dhe ende nuk dihen motivet e shpërthimit.

Sahiti përgënjeshtroi raportimet e disa medieve se sulmi ka qenë i drejtuar ndaj banesës së Adriana Hoxhiqit, shefe e Zyrës për Mitrovicën e Veriut.

“Kjo nuk ka të bëjë asgjë me Adriana Hoxhiqin. Banesa e saj është rreth 1.5 km larg nga vendit ku ka ndodhur shpërthimi”, sqaroi ai.