Zhvendosja e Zbatuar nga Qeveria Zgjat 9 Vjet

Banorët e një pjese të fshatit Hade të Obiliqit ishin zhvendosur në vitin 2004 me vendim të Qeverisë së vendit pasi “zona emergjente” ku ata jetonin ishte shpallur e interesit të veçantë ekonomik duke qenë se shtrihej mbi rezerva linjiti.

Ata duhej të vendoseshin në pjesë tjera të komunës së Obiliqit.

Për shpenzimet e zhvendosjes e shpronësimit të fshatit, Qeveria ka shpenzuar mbi 21 milionë euro deri më tash.

Rreth 1.2 milionë euro asaj i ka kushtuar vetëm ndërtimi i infrastrukturës për ndërtimin e një lagjeje prej 80 hektarësh në fshatin Shkabaj – që ndodhet mes Obiliqit dhe Prishtinës – ku është duhet të rivendosen një pjesë e banorëve.

Aty janë paraparë të ndahen 120 troje për banorët nga “zona emergjente” dhe 80 të tjera për lagjen Shala të Hades.

Qe nëntë vjet, ajo ende nuk është kryer.

Ndërkohë banorëve të “zonës emergjente” u ishin ndërprerë edhe kontratat për kompensimin e shpenzimeve të cilat ishin bërë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në vitin 2004, kur kishte filluar shpronësimi.

Kontratat që mbulonin rrymën, ujin dhe shpenzimet tjera komunale si dhe 40 euro për person për ushqim ishin ndërprerë në mars 2012.

Në ato kontrata shkruhej se derisa banorëve t’iu ndahen trojet në fshatin Shkabaj, do t’u mbuloheshin kompensimet.

“Neve na janë ndërprerë kontratat pa na u bërë zgjidhja”, thotë banori Arsim Preniqi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Qeveria, thotë ai, i ka lënë në rrugë.

“Kemi mbetur edhe të pa punë edhe pa na u ndarë trojet”.

Sekretari i përhershëm i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Arben Çitaku, thotë se kontratat janë ndërprerë pasi trojet janë ndarë për banorët.

Sipas tij, zona në fshatin Shkabaj është e gatshme që banorët të fillojnë me ndërtim. Ata ishin kompensuar për shpronësim në Hade.

Projekti i ndërtimit të infrastrukturës i ka kushtuar deri tash ministrisë 1.198.556.91 euro.

“Punimet në atë lagje janë prej standardeve më të larta”, thotë Çitaku. “Me përmirësimin e kushteve të motit, banorët mund të fillojnë ndërtimin e shtëpive në atë lagje”.

Por banorët insistojnë se ende nuk e dinë se cilat janë trojet e tyre ngase për këtë nuk ka marrëveshje ndërmjet komunitetit, komunës së Obiliqit dhe Ministrisë së Mjedisit.

Pastaj, “Si me hy kamioni me sjell materialin këtu, kur rruga është e papërfunduar, shaktat janë në mes të rrugës?”, pyet banori Ismet Grajqevçi.

Vërejtje për infrastrukturën ka edhe komuna e Obiliqit.

Drejtori për mbrojtjen e mjedisit në Obiliq, Nazif Shala, thotë se “materialin për ndërtim banorët nuk kanë ku ta dërgojnë’’ në Shkabaj.

“Me sa di unë atje ende nuk janë krijuar kushtet për të filluar ndërtimin nga ana e banorëve” , thotë edhe Azem Spanca, drejtor i urbanizmit në komunën e Obiliqit.

Edhe Servet Spahiu, drejtor shpronësimi në MMPH, thotë se ka defekte në punime.

“Ato punime kanë përfunduar vetëm 50 për qind”, thotë Spahiu. “Gjithashtu ende nuk janë pranuar nga inspektorët”.

 
Servet  

Ish-ministri i mjedisit Ardian Gjini thotë se “ka mundësi që projekti i ka ikur nga fokusi Qeverisë dhe Ministrisë”.

“Nëse për pesë vjet nuk kanë arritur ta zgjidhin këtë problem, mund të quhet dështim”, thotë ministri në kohën e të cilit kishte nisur zhvendosja e Hades dhe shpenzimet e të cilit ishin hetuar nga një komision i ministrisë i ngritur me urdhër të kryeministrit aktual. Komisioni nuk kishte gjetur mospërputhje në dokumentacionin e shpenzimeve. 

Servet Spahiu thotë se është “95 për qind i sigurt se këta banorë këtë vit do të fillojnë ndërtimin e shtëpive në lagjen Shkabaj”.

Premtim të këtillë kishte dhënë edhe eprori i tij, ministri Dardan Gashi, në qershor të vitit 2012 për emisionin Jeta në Kosovë. Ai kishte deklaruar se në fund të vitit 2012 do të jetë gjithçka gati.

 
Dardan Gashi  

Nga fshati Hade janë zhvendosur edhe banorët e lagjes Shala për të cilët është bërë kompensimi i pronës, por jo edhe kompensimi për shpenzimin që përfshin harxhimet e energjisë elektrike, qirasë dhe shpenzime tjera. Ata janë vendosur në Obiliq ose kanë bërë zgjidhje tjera personale.

Zhvendosja e banorëve nga zona e interesit do të realizohet konform nevojave të Korporatës Energjetike të Kosovës për zgjerimin e mihjeve sipërfaqësore, që nënkupton se lëvizja në këto pjesë do të bëhet me faza për shkak të implikimeve të mëdha buxhetore.