Rexha i PDK-së në Krye të Privatizimit

Blerim Rexha u zgjodh të enjten nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, kryesues i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Në dhjetor 2012, Rexha është zgjedhur edhe anëtar i Këshillit Drejtues të Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar se Rexha u zgjodh në organet drejtuese të PDK-së, duke qenë në të njëjtën kohë i nominuar për të udhëhequr një institucion të pavarur, siç duhet të jetë Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Me 50 deputetë që votuan për, me 5 që ishin kundër dhe pa asnjë abstenim, të enjten u miratua propozim-vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Anëtarë të AKP-së u zgjodhën dhe Haxhi Arifi i BSPK-së, anëtare nga komuniteti serb, Maja Milanovic; ndërsa anëtar joekzekutiv i Bankës Qendrore të Kosovës u zgjodh Bedri Peci. Në garë ishin dhe Arsim Bruqi e Skënder Kllokoqi.

Votimi u bojkotua nga dy partitë opozitare, LDK dhe Vetëvendosje, të cilat e lëshuan seancën, por jo edhe partia tjetër opozitare, AAK-ja.

Përzgjedhja e anëtarëve të Bordit të AKP-së u arrit pas tri dështimesh në seanca të kaluara, për mungesë të numrit të nevojshëm të deputetëve të pranishëm në seancë.

Ismet Beqiri, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, deklaroi se ata nuk do të votojnë njerëz që kanë libreza partiake, kurse deputetët e Vetëvendosjes thanë se po tentohet që nga partia në pushtet të instalohet diçka që është e papranueshme.

Seancën nuk e braktisi AAK-ja, me arsyetimin se ata e ruajnë të drejtën për votim. Për mundësinë e zgjedhjes së Blerim Rexhës në krye të AKP-së, Gazeta Jeta në Kosovë kishte raportuar qysh në muajin nëntor 2012. (http://gazetajnk.com/?cid=1,3,3772)

Në atë kohë, kryeministri Hashim Thaçi e kishte propozuar Rexhën, anëtar i partisë së tij, për kryetar të Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Propozimi i tij ndodhi vetëm 27 ditë, pasi ai iu tha ligjvënësve se kishte marrë vendim që të largonte ndikimin politik në këtë agjenci.

Ligji për AKP-në nuk tregon qartë nëse Qeveria ka të drejtë të propozojë emra për bord të AKP-së.

Kabineti Qeveritar kur vendosi të nomionojë anëtarët e rinj të Bordit të Drejtorëve të AKP-së u bazua në Ligjin për Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Por, ky ligj nuk përcakton qartë kush duhet të jetë nominues i anëtarëve të këtij trupi drejtues, përveç se është decidive që emërues është Kuvendi i Kosovës.