Nis Punën Gjykata e Apelit në Prishtinë

Me rastin e Ditës Botërore për Drejtësi sociale, më 20 shkurt, në ndërtesën e dikurshme të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë u bë shpalosja e pllakës së Gjykatës së Apelit. Ceremonia e inaugurimit shënoi fillimin e një strukture të re, e panjohur deri më tani për gjyqësorin e Kosovës. 

Ky inaugurim shpalosi ligjshmërinë e një praktike të re e cila vjen si pjesë e reformave në drejtësi që ka filluar që nga 1 janari 2013.

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj fillimisht falënderoi të pranishmit dhe tha se përpos faktit të kohës me klimë të ftohtë, kjo ditë është mjaft e ngrohtë për qytetarët e Kosovës.

“Më në fund populli mund të mbështetet në një gjykatë të unifikuar e cila do të mundësojë jetësimin e standardeve ndërkombëtare”, tha Mekaj.

Transparenca dhe qasja publike në Gjykatën e Apelit do të përcillet nga një varg ndryshimesh siç janë shenjat treguese të cilat do të udhëzojnë e orientojnë qytetarët brenda objektit, hapësirat e lokalizuara enkas për personat me nevoja të veçanta si dhe sallat adekuate për gjykim.

“Sot inaugurojmë diçka më tepër se një objekt, arkitektura e të cilit promovon transparencë dhe efikasitet”, tha Mekaj. 

Ai shtoi se transformimi i sistemit gjyqësor nuk ka filluar me hyrjen në fuqi të strukturës së ri-organizuar të gjyqësisë në Kosovë.

Enver Peci deklaroi se kjo ditë është simbolikë e cila reflekton ristrukturimin dhe fillimin e një numri të madh të ndryshimeve përmbajtjesore për sigurimin e drejtësisë

“E gjithë kjo është nismë e një pune të një rëndësie gjigande”, tha Peci, kryetar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, KGjK si dhe falënderoi miqtë amerikan dhe partnerët evropian.

Salla e gjykatës

Drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë, Maureen A. Shauket tha se kjo ditë është një tregues i një pune të shkëlqyer dhe tha se Kosova po përballet me një demokraci të re e cila mund të lulëzojë vetëm me sundimin e drejtë të ligjit. 

“Kjo është dhe arsyeja pse populli amerikan vazhdimisht ka përkrahur qytetarët e Kosovës nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme”, tha Shauket. 

USAID, përmes disa projekteve po kontribuon në reformat e drejtësisë në Kosovë.

Ajo përgëzoi respektimin e njërit prej parimeve kushtetuese, barazisë gjinore meqë prej 34 gjyqtarëve –  11 janë të gjinisë femërore në këtë gjykatë. Formimi i Gjykatës së Apelit paraqet projekt të fundit në këtë drejtim.

Më tej ky hap i madh për Kosovën u simbolizua me prerjen e shiritit të kuq prej të lartpërmendurve, me ç’rast u ftuan të pranishmit për të parë brendinë e Gjykatës së Apelit që inspiroi njerëzit me shpresën se ky vit do të jetë fillim i mbarë për gjyqësorin e Kosovës.

Sipas ligjit për gjykatat, Gjykata e Apelit është gjykatë e shkallës së dytë dhe është kompetente të shqyrtojë:  të gjitha ankesat e ushtruara kundër vendimeve të Gjykatave Themelore; të vendosë në shkallë të tretë, sipas ankesës që është lejuar me ligj dhe për konfliktin e juridiksionit ndërmjet gjykatave themelore; të vendos për konfliktin e juridiksionit ndërmjet Gjykatave Themelore dhe çështjet tjera të parapara me ligj.