Prokurori i “Medicus”-it Bëhet Kryeprokuror Special

Jonathan Ratel, i cili ka nënshtetësi kanadeze dhe britanike, që nga marsi i 2011-së ka mbajtur detyrën e udhëheqësit të Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar në Prokurorinë Speciale.

Në rastin që ka zgjuar dhe interesim ndërkombëtar, i njohur si “Medicus”, Ratel më 15 tetor 2010 ka ngritur aktakuzën kundër Lutfi Dervishit, Arban Dervishit, Sokol Hajdini, Driton Jiltas, Islam Bytyqit dhe Sylejman Dullës, të cilët i akuzon për krim të organizuar, trafikim me njerëz, ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore. Kurse Ilir Rrecaj akuzohet për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimit.

Në komunikatën e lëshuar nga EULEX-i për emërimin në detyrën e re, bëhet e ditur se Ratel më parë ka punuar si këshilltar special në luftën kundër narkotikëve në Ambasadën Britanike në Afganistan, më pas edhe në atë në Irak, ku kishte kryer detyrën e këshilltarit të prokurorit në provincën Basra të Irakut. Ai, gjithashtu ka punuar si prokuror special në Republikën e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Jonathan Ratel zëvendëson Jaroslava Novotnan, e cila ishte caktuar para një viti në këtë pozitë.