Komisioni për Integrim Ndihet “i Injoruar” nga Hoxhaj

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ishte thirrur në takimin e së martës të Komisionit për Integrim Evropian, për të raportuar për procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si dhe për të koordinuar bashkëpunimin e Kosovës me Këshillin e Evropës.

Në mbledhjen e së martës, ky komision ka miratuar Planin e Veprimit për negocimin e MSA-së, si dhe ka proceduar për miratim në Kuvend dy projektligje.

Kryetari i këtij komisioni, Lutfi Haziri (LDK), në hapje të takimit ka njoftuar për anulimin e pjesëmarrjes nga ana e ministrit Hoxhaj. Mungesën e tij, ministri e ka arsyetuar me udhëtimin e paparashikuar në Bruksel, për të vazhduar më tej në Azi, shpjegoi Haziri.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Vjosa Osmani, tha se kjo është “është një papërgjegjësi e radhës e këtij ministri, i cili vazhdimisht injoron komisionet e Kuvendit të Kosovës”.

“Ne e kemi thirrur, jo vetëm në takim raportues, por edhe në takim koordinues sa i përket procesit të anëtarësimit dhe bashkëpunimin me Këshillin e Evropës, sepse është një detyrë që i takon këtij komisioni me rregullore. Përkundër asaj që ne e kemi pritur konfirmimin për një kohë të gjatë dhe kemi ndryshuar dhe agjendën tonë, sipas agjendës së ministrit, prapëseprapë në momentin e fundit po anulohet”, tha Osmani.
 
Kurse, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Alma Lama, tha se ministrat janë të obliguar të raportojnë në komisionet dhe Parlament. “Minimumi që mund të bëjnë ministrat është që të raportojnë në komisione dhe minimumi është që të jenë në sallën e Kuvendit të Kosovës dhe të marrin pjesë në debate dhe të dëgjojnë atë që flasin të zgjedhurit e popullit. Kjo gjë nuk po ndodh”, u shpreh Lama.

Sipas saj, është krijuar një praktikë e keqe që ministrat vetëm të bëjnë propagandë në media dhe nuk vijnë për t’u përballur me deputetët dhe me të vërtetën.

“Kjo është shmangie nga përgjegjësia. Mos të harrojmë se ministri i jashtëm bënë të njëjtën gjë edhe në Komisionin për Punë të Jashtme, gjë që është tërësisht e papranueshme. Shmangja nga përgjegjësia nuk është gjë tjetër veçse dështim në politikën e jashtme”, theksoi ajo.

“Në rast se ministri do të kishte çfarë të raportonte dhe me çfarë të krenohej, jam e sigurt që do të vraponte për t’u dukur para medieve nëpër konferenca, nëpër komisione dhe kudo që t’i jepej mundësia”, shtoi deputetja e VV-së.

Komisioni, në këtë takim ka miratuar Planin e Veprimit për negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim – Associmit. Kryetari i këtij komisioni kërkoi koordinim më të madh ndërinstitucional.
“Ky plan duhet të ketë një koordinim më të madh institucional më të madh, ashtu që të mos ketë ndeshje gjatë zbatimit të tij”, tha Lutfi Haziri,.
 
Duke bërë thirrje për një koordinim më të mirë, ai e vlerësoi si “shumë fragjil” koordinimin e deritashëm ndërmjet komisioneve parlamentare.

Bazuar në rendit e ditës, për takimin e së martës Komisioni për Integrime Evropiane unanimisht i dha vizën Projektligjit për Avokaturën shtetërore dhe Projektligjit për Ujërat e Kosovës, me disa vërejte që u adresuan nga anëtarët e këtij komisioni nga radhët e opozitës.

Deputetët nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Ismet Beqiri, kanë kërkuar që përpilimi dhe implementimi i këtyre dokumenteve të mos bëhet në mënyrë të shpejtë.

“Përpilimi i dokumenteve dhe i planeve të tilla [me shpejtësi], nganjëherë mundë të na bëjë dëm, vetëm sa për t’ia bërë vetes qefin”, tha Beqiri.

Komisioni ka shtyrë shqyrtimin e Projektligjit për veprimtari kërkimore, shkencore, inovacion dhe teknologji si dhe të Projektligjin për menaxhim të komplekseve memoriale të Kosovës, pasi ato i janë dorëzuar Komisionit për Legjislacion.

Ky komision i ka bërë thirrje ministrit Hoxhaj që të mos mungojë në takimin e radhës të datës 27 shkurt.