“Mos Fol me Tolajn për Përqindje, Vijnë Njerëzit e Tij”

Në ambientet e kinemasë ABC1, Gjykata Themelore në Prishtinë të enjten vazhdoi seancën kundër Ilir Tolajt, Bujar Bukoshit dhe gjashtë të pandehurve të tjerë të cilët po akuzohen për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve.

Në pjesën e parë të kësaj seance, kolegji i gjykatësve dëgjoi përgjigjet e Bekim Deshishkut, pronar i kompanisë “Jona Med”. Pyetjet për dëshmitarin i vazhdoi mbrojtja e Tolajt, avokati Korab Rexhepi.

Shumë nga pyetjet e avokatit Rexhepi u kundërshtuan nga prokurori, e shumë të tjera u ndaluan nga kryetarja e kolegjit. Arsyetimi i tyre ishte se në ato pyetje dëshmitari ishte përgjigjur. Në një rast kryetarja e kolegjit iu drejtua avokatit se ajo po lodhet nga mënyra se si po shtrohen pyetjet.

Deshishku, në një pyetje të mbrojtësit Rexhepi se kur e kishte takuar Tolajn dhe a kishte njohur më parë, ai tha: “Tolajn e kam takuar për tre minuta, atë nuk e kam njohur kurrë më parë”.

Dëshmitari më pas tregoi se, pas shpalljes së aktakuzës, nga disa operatorë të tjerë se edhe atyre i ishte kërkuar nga 10% në tender, por që për këtë nuk e dinte se si ata e kishin paguar, apo nëse iu ishin marrë këto para.

Kur avokati Rexhepi përfundoi me pyetjet, ato i filloi Ilir Tolaj, ish-sekretari permanent në Ministrinë e Shëndetësisë.

Tolaj u interesua të dinte nga dëshmitari më tepër lidhur me “Paracetamolin” e tërhequr pas vërejtjes së ministrisë. Por, dëshmitari nuk tregoi qartë se pse “Jona Med” tërhoqi nga ministria 20 mijë doza të ilaçit “Paracetamol”. Ai tha se në një letër nga Arsim Ibrahimi, drejtori i laboratorit të barnave, thuhej se “pas rezultatit të testit, bari nuk i plotëson kushtet”.

Sipas dëshmitarit, “Paracetamoli” nuk ka pasur efekte anësore tek pacientët që e kanë marrë, edhe pse nuk kishte asnjë njohuri nëse kishte pasur raporte nga Qendrat e Mjekësisë Familjare nëpër Kosovë.

Deshishku i tregoi Tolajt dhe gjykatës se ai në kohën kur kishte pasur probleme me MSH-nën, në firmën e tij kishte pasur stoqe prej 1 milion eurosh që lidheshin me tenderin që ministria nuk i kishte porositur mallrat.

Por, ai nuk arriti të tregonte se si e kishte bërë porosinë e mallit pa kërkesën e ministrisë për atë mall. Përgjigjja e vetme që mori gjykata dhe palët ishte se për rastin e kontratës së vitit 2006 kishte një vendim të Gjykatës Ekonomike.

Në fund, dëshmitari edhe një herë kur u pyet për kontratën “një plus një” (kontratë njëvjeçare me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër) tregoi se ai e dinte se ishte mbledhur një komision i cili kishte rekomanduar vazhdimin e kontratës, të cilën kontratë e kishte përpiluar prokurimi, por nuk e kishte nënshkruar Bukoshi si ministër i asaj kohe.

Faton Çitaku, drejtori ekzekutiv i “Jona Med”-it, ishte dëshmitari i radhës në çështjen Tolaj dhe të tjerët.

Pyetjet për dëshmitarin Çitaku i bëri prokurorja Maria Bamieh. Ajo e pyeti lidhur me kontratat e “Jona Med”-it para se Tolaj të ishte në ministri dhe fillimin e problemeve mes kompanisë dhe MSH-së.

Çitaku tregoi se si “Jona Med”, më 2006 kishte nënshkruar dy kontrata me MSh-në; njëra ishte njëvjeçare, kurse tjetra dyvjeçare. Ai tregoi se kontrata dyvjeçare kishte vlerën e 3.8 milionë eurove dhe ishte kontrata që kishte qenë në kontest dhe ishte fituar nga “Jona Med”.

Ai tha se ministria kishte urdhëruar vetëm 16% të kontratës, ndërsa pjesën tjetër jo. Po ashtu, ai tregoi se sapo ishte ndërprerë bashkëpunimi me ta, ministria kishte shpallur tender emergjent dhe ato i kishin fituar kompanitë e tjera, ndërsa dy nga tre kompanitë që e kishin fituar tenderët ishin furnizuar te “Jona Med” me material për të furnizuar ministrinë.

Në atë kohë, dëshmitarit i ishte thënë jozyrtarisht se ministria nuk ka para për të përmbushur atë kontratë.

Lidhur me padinë në Gjykatën Ekonomike, Çitaku ishte pyetur saherë që ishte shkuar në MSh. Atij i kujtohej se si Arbenita Pajaziti duke qeshur i kishte thënë: “Ku je ti që po na qon nëpër gjykata”. Por, edhe zyrtarët e tjerë ishin të interesuar të dinin se çfarë po bëhej me padi, e që për dëshmitarin Çitaku kjo ishte një lloj presioni.

Çitakut i kujtohej se si Ismet Hyseni i kishte propozuar që të tërhiqej nga padia në Gjykatën Ekonomike dhe se si pastaj Ilir Tolaj do të ndikonte në fitimin e tenderëve nga “Jona Med”.

“Ai po ashtu më tha se duhet të mësoheni me Ilir Tolajn, se pavarësisht se si ndryshon politika ai do të qëndrojë gjatë”.

Dëshmitari po ashtu tha se atë e mësuan që të mos flas me Tolajn për përqindjet në tender, pasi që Tolaj kishte njerëzit e tij që e kryenin këtë punë dhe ata vetë do të afrohen.

Në kohën sa në ministri ishin Tolaj e Arbenita Pajaziti, dëshmitari tha se ka fituar vetëm 30 mijë euro në një lot të tenderit, ndërsa ka konkurruar në më shumë se 1 milion euro punë.

Çitaku dëshmoi edhe për kontratat një plus një, të cilën nuk e kishte nënshkruar ministri Bukoshi pas takimit që dëshmitari kishte pasur me Bujar Bukoshin, Ilir Tolajn, Ekrem Maliqin dhe Ilir Fushën.

Në këtë takim që ministri e kishte organizuar me operatorë ekonomikë, Çitaku ishte lënë i fundit, pasi që kishin dalë të gjithë të tjerët, atëherë kishin filluar pyetjet nga Bukoshi e Tolaj.

“Pse keni sjell ‘Paracetamol’ fals dhe çfarë opinioni keni për këtë?” ishte pyetja e parë që i ishte drejtuar dëshmitarit Çitaku.

“Unë ju thashë se i besoj dokumenteve që i ka lëshuar Ministria e Shëndetësisë së Italisë, të cilat i kemi dorëzuar juve, përfshirë edhe certifikatën e prodhimit dhe analizën. Këto dëshmojnë që nuk janë fals”, iu ishte përgjigjur dëshmitari në atë takim, ministrit Bukoshi dhe sekretarit Tolaj.

“Bukoshi më tha se po i shitni barnat shtrenjtë. ‘Unë e kam një produkt që kushton 0.57 cent, e ju po e shitni 1.17 euro’. Unë i thashë se ai çmim që keni ministër është në funta britaneze, e jo në euro, siç ne e shesim mallin”, vazhdoi të tregonte Çitaku.

Ai tregoi edhe për pyetjet që Bukoshi e Tolaj i kishin bërë për padinë në Gjykatën Ekonomike. “Në fund më pyetën edhe për Gjykatën Ekonomike dhe ju thashë se nuk duhet ta merrnin atë personalisht, por Bujar Bukoshi më tha: ‘Kjo nuk është miqësi, kjo është biznes’. E pastaj, nuk e di cili tha: ‘Ju na dërgoni në gjykatë, ne nuk punojmë me ju’ dhe ‘Ju na dërgoni në Gjykatë Ekonomike, ne ju dërgojmë në EULEX’”.

Pas këtij takimi, “Jona Med” kishte pranuar një email me të cilin njoftohej se nuk po i vazhdohej kontrata “një plus një”, por në e-mail, sipas Çitakut, nuk kishte pasur asnjë arsye të ndërprerjes.

Të nesërmen, ai i kishte kërkuar arsye përmes një e-maili tjetër, por ministria asnjëherë nuk i ishte përgjigjur.

Seanca do të vazhdojë të premten me dëshmitarin Faton Çitaku, i cili do të vazhdojë të përgjigjet në pyetjet e prokurores e më pas edhe të mbrojtjes.