Me Vallëzim Kundër Dhunës Ndaj Grave

“Deshëm që vallëzimin ta përdorim si shenjë proteste”, tha Bleona Foniqi, njëra nga organizatoret e ngjarjes.
 
Adem Gashi, pjesëmarrës në këtë ngjarje, tha se ai është “feminist” dhe beson në të drejtat e barabarta mes meshkujve dhe femrave. “Çdo mashkull që i thotë vetes burrë i vërtetë duhet të mendoj njësoj, prandaj jam sonte këtu”, i tha Gashi, Gazetës jeta në Kosovë.

Vala Osmani, e cila kishte ardhur bashkë me vajzën e saj në këtë ngjarje, tha se është kundër dhunës në përgjithësi. “Prandaj i jam bashkuar ngjarjes së sontme”, u shpreh ajo.

Iniciatorët që edhe Kosova t’i bashkohet këtij aktiviteti kanë qenë dy gjashtëmbëdhjetëvjeçarë nga Prizreni, Lindi dhe Andrea. Ata thanë se fillimisht për ngjarjen kishin dëgjuar nga një kosovare, e cila jeton në Gjermani.

Lëvizja “One Billion Rising” është nisur nga Eve Ensler, një aktiviste veterane feministe dhe autore e “Monologjet e Vaginës”. Webfaqja zyrtare e fushatës ka një hartë interaktive për të gjitha qytetet në botë ku njerëzit do të ngriten.

Shumë yje të kinemasë, muzikës e modës i janë bashkëngjitur kësaj lëvizje. Anne Hathaway ndërkaq është imazhi i “One Billion Rising”.

Sipas organizatorëve të ngjarjes, një nga tri femra në planet rrihet ose dhunohet gjatë jetës së saj. Nga 7 miliardë njerëz sa ka bota, i bie që viktima të dhunës janë një miliard gra e vajza.