Pas 5 Vitesh Zbulohet Vrasja e Rojës

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të mërkurën u dëgjua Shqipron Ahmetaj dëshmitari kryesor në rastin e vrasjes se Selajdin Ukimerit, që kishte ndodhur në mars të vitit 2008.

Prokurori i shtetit, Murtez Jahaj, ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prizren, për mundësimin e dëgjimit të dëshmitarëve para se të lëshohej në seanca fillestare. Kjo, pasi dëshmitarët jetojnë dhe punojnë jashtë vendit dhe ka mundësi që kur të fillojë shqyrtimi, ata të mos jenë prezentë. Këtë propozim e ka aprovuar trupi gjykues dhe seanca është mbajtur të mërkurën.

Të pandehurit Alfred Bobaj dhe Besnik Ukaj akuzohen për veprën penale të vrasjes së rëndë, pasi në mars të vitit 2008 kishin vrarë Selajdin Ukimerin, i cili ishte duke bërë roje te pompa e benzinës “Albes” në fshatin Korishë, komuna e Prizrenit. Ata kishin shkuar për të vjedhur dhe pasi kanë hasur në rojën, të cilën e kanë njohur personalisht, e kanë qëlluar me armë zjarri duke e lënë të vrarë.

Vrasja është kryer në mars të vitit 2008, por nuk është zbuluar deri në janar 2013, kur dëshmitari kryesor Shqipron Ahmetaj, vjen nga Vjena për dëshmuar për këtë rast. Pas dëshmisë së Ahmetajt në hetuesi, policia i ka arrestuar dy të pandehurit.

Ahmetaj ishte shok i ngushtë i Besnik Ukajt. Ai ka treguar se si e kishte thirrur Besniku, që t’i dërgonte së bashku me Alfredin dhe Fadil Bytyqin (i cili po ashtu dëshmoi të mërkurën), deri në fund të fshatit, në vendin e quajtur Gurina, por nuk i kishte treguar arsyen. Dëshmitari dy herë i kishte dërguar në vendin e njëjtë, herën e parë ishte edhe Fadili, ndërsa herën e dytë ishin vetëm Besniku dhe Alfredi.

“Besnik Ukajn e kam pasur shok të ngushtë. Një natë derisa ishim duke pirë birra, Besniku më ka kërkuar që ta dërgojë me veturë deri në fund të fshatit, në vendin e quajtur “Gurina”. Rrugës i kam marrë edhe Alfredin dhe Fadilin. Në atë vend i kam pritur më pak se një orë, janë kthyer prapë të tretë dhe i kam dërgua në shtëpi, por nuk më kanë treguar se ku kanë qenë”, tha dëshmitari Shqipron Ahmetaj.

“Natën e dytë prapë më ka thirrë Besniku dhe e kam dërguar së bashku me Alfredin në vendin e njëjtë. Aty i kam pritur mbi një orë. Pas kësaj më ka thirrë Besniku në telefon dhe jam nisur në drejtim të rrugës së Shpenadisë, ku kanë hipur në veture Besniku me Alfredin. Kanë qenë shumë të stresuar dhe Besniku iu drejtuar Alfredit: ‘Çka bane Alfred’. Dhe u kthye nga unë e më tha: ‘E vrau njërin Alfredi, e vrau Selajdinin’. Pas kësaj jam nisur menjëherë në shtëpi dhe i kam lanë të shkolla e fshatit këta dy”.

Të nesërmen tha se nuk ka dalë prej shtëpisë, pasi ka qenë i stresuar për atë që ka ndodhur dhe nuk ka dashur të takohet ma me ta.

“Të nesërmen, Besniku me ka thirrë në telefon dhe me ka thanë dil prej shtëpisë. ‘Mos të dyshojnë të tjerët diçka dhe mos gabo me i tregu askujt, përndryshe do me njohësh mirë’”.

Në pyetjen e avokatit Rasim Krasniqi pse nuk ke treguar deri tash për këtë rast, dëshmitari deklaroi se është frikësuar se mos po e vrasin edhe atë si Seladinin, ose mos po ia vrasin familjen. Por, tha se ka vendosur të dëshmojë se nuk ka mundur të mbajë në ndërgjegje, pasi që pesë vjet e ka përcjellë pas ky rast.
 
Po ashtu u dëgjua edhe Fadil Bytyqi, i cili ditën e parë kishte qenë së bashku me Besnikun dhe Alfredin te hotel Albes për të vjedhur tel të bakrit, por vjedhjen nuk e kishin kryer pasi kishin hasur ne Selajdinin dhe kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

“Një javë para se të vritej Selajdin Ukimeri, kemi biseduar së bashku me Besnikun dhe Alfredin, që të shkojnë të restoranti ‘Albes’, i cili në atë kohë ishte në ndërtim e sipër, që të vjedhin tel të bakrit, ndërsa unë vetëm kam pasur me ndal rrymën”, tha dëshmitari

“Natën kritike, Besniku, së bashku me Alfredin dhe Shqipron Ahmetajn, kanë ardhur dhe më kanë marrë në shtëpi. Kemi shkuar në drejtim të rrugës së fshatit Shpenadi. Me Besnikun dhe Alfredi jemi nisur në drejtim të hotelit ‘Albes’, ndërsa në veturë ka pritur Shqiproni. Kur i jemi afruar hotelit, Besniku e ka vërejt Selajdinin duke biseduar në telefon dhe na ka thanë, që të kthehemi prapë, se Selajdini na ka vërejt dhe është duke e thirrë policinë në telefon. Jemi kthyer dhe kemi shkuar në shtëpi”, tha Bytyqi.

“Pas dy ditëve, duke shkuar për punë i kam parë policin te hoteli ‘Albes’, dhe nga gjyshi kam dëgjuar se është vra Selajdini, por nuk e kam ditur se kush e ka vra. Por pas vrasjes, Besniku me ka thirr në telefon dhe ma ka thanë që mos t’i tregoj askujt që kemi qenë një natë përpara, pasi munden me dyshu se ne e kemi vra. Ai edhe me ka kërcënuar, se edhe do të më vrasë. Para një viti më ka kërcënuar se nëse tregoj se kemi qenë një natë përpara me vjedh, do të më vrasë dhe me ka sharë me familje”, ka thënë mes tjerash, në dëshminë e tij, Fadil Bytyqi.

Seanca fillestare do të caktohet sipas planit të gjykatës.