ZRRE-ja Kërkon Raport për Faturat e Rrymës

ZRRE-ja njofton se ka themeluar një komision me ekspertë, të cilët janë duke mbledhur dhe analizuar të dhënat e konsumatorëve të cilët kanë paraqitur ankesë, në përputhje me procedurat dhe rregullat në fuqi.

ZRRE-ja po ashtu ka kërkuar nga KEK‐u një raport të detajuar lidhur me ankesat e konsumatorëve, të cilët janë ankuar në KEK për faturat e energjisë elektrike për muajin janar 2013.

“Raporti duhet të përfshijë numrin e ankesave të konsumatorëve sipas distrikteve, arsyet e parashtrimit të ankesave, si dhe të dhëna se sa prej këtyre janë zgjidhur në favor të konsumatorëve”, thuhet në një komunikatë shtypi të kësaj zyreje.
 
ZRRE-ja iu bën thirrje konsumatorëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për t’u ankuar në KEK, nëse konsiderojnë se faturat e tyre nuk janë të sakta dhe i informon ata se kanë të drejtë që të apelojnë përgjigjet e KEK‐ut në ZRRE dhe te bordi i saj.