Faturat e KEK-ut Nxisin Qytetarinë, Nesër Protestë

(E plotësuar) Organizatorët e protestës, nëpërmes Facebook-ut, i kanë ftuar qytetarët që t’i bashkohen protestës kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike, që do të mbahet të enjten në mesditë para zyrave qendrore të KEK-ut, “Te Santea” në Prishtinë.

Vetëm në disa orë, pasi është postuar, rreth 1200 veta janë përgjigjur se do t’i bashkohen “ngjarjes”.

“E di që për 13 vjet janë grumbulluar me miliona euro që i kemi borxh KEK-ut. Por, të nderuar për 13 vjet asnjëherë nuk kemi protestu për gjithë ato padrejtësi që na janë bërë nga kjo koorporatë. Hajde të bëhemi së bashku, së paku për këtë ditë”, ka shkruar Milot Hasimja,  në rrjetin social Facebook, njëri nga organizatorët e kësaj proteste.

Fatura ime e rrymës ka ardhur e njëjtë me të afërm të mi në Suedi, Gjermani e në Zvicër, shkruan një lexues tjetër.
 
Pakënaqësisë së shprehur në Facebook iu është bashkuar edhe ministrja e Integrimit, Vlora Çitaku.

“Kemi parë ditëve të fundit që shumë qytetarë kanë shprehur pakënaqësinë ndaj KEK-ut. Mendohet që faturat po u vijnë më tepër se që kanë shpenzuar, madje në disa raste edhe dyfish më shumë se muajt e kaluar”, ka shkruar Çitaku, në profilin e saj.

Ajo është ankuar se fatura e këtij muaji është e fryrë. “Shumë shtrenjtë këtë muaj. 57m2, 74 euro, shumicën e kohës jashtë, e papranueshme”.

Lidhur me ankesat e qytetarëve ka reaguar edhe Organizata “Konsumatori”, e cila iu ka kërkuar qytetarëve mos t’i paguajnë faturat, derisa të merret sqarim zyrtar nga KEK-u dhe ministritë përgjegjëse të Qeverisë së Kosovës.

“Deri në marrjen e përgjigjes, këshillojmë të gjithë konsumatorët e goditur me këtë veprim të papërgjegjshëm të KEK-ut, të gjithë konsumatorët e pakënaqur, të gjithë konsumatorët të cilët pretendojnë se KEK-u po tenton t i mashtrojë, t’i detyrojë, t’i manipulojë, t’i diskriminojë… që të mos i paguajnë faturat, përderisa institucionet e apostrofuara nuk na përgjigjen dhe derisa KEK-u nuk e arsyeton veprimin, nuk na kërkon falje, nuk e kthen gjendjen në parametra realë dhe nuk na kompenson deri ne kompensimin moral etik”, thuhet në reagimin e organizatës “Konsumatori”.

Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, tha se “KEK-u do të dalë gjatë ditës me një komunikatë për medie lidhur me ankesat e qytetarëve”.

KEK-u Fton Konsumatorët të Paraqesin Ankesat

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) thotë se ditëve të fundit “është vërejtur një volum i madh i shprehjes së pakënaqësisë” nga ana e konsumatorëve lidhur me faturat e energjisë elektrike për muajin janar.

Nëpërmes një komunikate shtypi, KEK-u i ka ftuar të gjithë konsumatorët e pakënaqur t’i drejtohen Qendrave për Konsumatorë dhe të deponojnë çfarëdo ankese që kanë. “Korporata i siguron se secila ankesë do të adresohet dhe do të shqyrtohet deri në detaje”.

“Në rast të leximit jo të rregullt apo të ndonjë gabimi në lexim apo faturim, KEK i siguron konsumatorët që do ta bëjë menjëherë korrigjimin. Ndryshe, nuk bëhet fjalë për faturim paushall, sepse faturimi kryhet çdo muaj e as për ndryshim të çmimeve, sepse ato mbesin të njëjta, për çka secili konsumator mund të bëjë krahasimin edhe vetë me faturën paraprake. Ndryshe, secili konsumator mund të bëjë edhe vetë verifikimin e gjendjes, duke e krahasuar gjendjen në njehsorin e tij me gjendjen e kilovatëve të shënuar në faturë”, thuhet në një komunikatë shtypi, të enjten

Qytetarë të pakënaqur me faturat e fryra të rrymës kanë paralajmëruar nëpërmes rrjetit social Facebook, një protestë, që do të mbahet të enjten në mesditë para zyrave qendrore të KEK-ut, “Te Santea” në Prishtinë.

Ftesës për të marrë pjesë në “ngjarje”, deri në orët e mbrëmjes, i janë përgjigjur “pozitivisht” më shumë se 3 400 veta, në rrjetin social Facebook.

“Ne jemi në stinën e dimrit dhe dihet se gjatë stinës së ftohtë konsumi dyfishohet. Arsye është se një pjesë e madhe e konsumatorëve po ngrohen me energji elektrike. Ndërsa, Kosova ka tarifa që e stimulojnë kursimin, përkatësisht për 0-200 kilovatët e parë çmimi është më i liri, për 200-600 shkon duke u ngritur dhe për shpenzimin mbi 600 kilovatë çmimi është 10.16 centë dhe ka ndikim të madh në çmim nëse shpenzimi është mbi këtë shumë”, thotë KEK-u.

Kjo korporatë kërkon që konsumatorët të kenë kujdes në shpenzimin e energjisë elektrike, duke e evituar në maksimum ngrohjen me energji elektrike si një alternativë shumë e shtrenjtë, “në mënyrë që të mos vijë deri tek situatat e tilla”.