Serbia e Bosnja, Marrëveshje për Krimet e Luftës

“Nga tani e tutje, për kriminelët e luftës në rajon, nuk ka më kufij pas të cilëve mund të fshihen. Tani kemi mundësinë t’i mbrojmë të drejtat  e viktimave ën mënyrë efikase”, tha Vladimir Vukcevic, kryeprokurori serb për krime lufte.

Prokurorët e Beogradit dhe Sarajevës u takuan në Bruksel, të enjten, për të nënshkruar protokollin për bashkëpunim në gjykimin e autorëve të dyshuar për krime lufte, krime ndaj njerëzimit dhe gjenocid.

Protokolli ka për synim të adresojë çështjen e hetimeve paralele në dy vendet dhe të lehtësojë transferimin e dyanshëm të provave mes Bosnjës dhe Serbisë. Ai do të lejojë gjithashtu mbajtjen e gjyqeve të të dyshuarve në vendin e origjinës për krime lufte të kryera në një vend tjetër.

“Qëllimi ynë është të ndihmojmë viktimat”, tha kryeprokurori boshnjak, Goran Salihovic.

“Është fakt se një numër rastesh janë në pritje dhe me këtë marrëveshje do të ecim përpara”, tha ai.

Peter Burkhard, shefi i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë në Serbi, që ndërmjetësoi bisedimet për protokollin, tha se kjo ka treguar se Beogradi është i përkushtuar për t’u ballafaquar me të kaluarën e luftës.

“Sjellja e përgjegjësve për krime lufte para drejtësisë është baza për ripajtim në rajon dhe një element kyç për rendin e ligjit”, tha Burkhard.

Fillimisht, protokolli duhet të ishte nënshkruar një vit më parë, por u bllokua në nëntor të vitit 2011 nga presidenca e Bosnjës dhe Hercegovinës, që tha se marrëveshja nuk kishte mbështetjen e viktimave të krimeve të luftës dhe këmbënguli se pëlqimi i tyre paraprak është i domosdoshëm për të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare.

Por, ministrat e drejtësisë dhe të punëve të jashtme në Bosnjë arritën më vonë t’i anashkalojnë kundërshtitë e presidencës, duke deklaruar se protokolli nuk ishte një marrëveshje ndërkombëtare.

Serbia ka lëshuar urdhërarreste kundër disa shtetasve boshnjakë në të shkuarën, më i njohuri për Ejup Ganicin, anëtar i presidencës së Bosnjës, në vitin 2010, dhe për gjeneralin boshnjak, Jovan Divjak, në vitin 2011.

Ndërkohë Bosnja ka lëshuar urdhërarreste për një numër ish-ushtarësh serbë të Bosnjës dhe serbë, që jetojnë aktualisht në Serbi.

Por, disa viktima boshnjake për krime lufte tremben se protokolli mund të mos sjellë më dënime, sepse besojnë se gjykata serbe nuk do t’i trajtojnë rastet e tyre në mënyrë të drejtë.

“Jemi të shqetësuar sepse e dimë se ka pasur raste të krimeve të luftës në Serbi që kanë përfunduar me dënime minimale”, tha Murat Tahirovic, kryetari i shoqatës boshnjake “Viktimat dhe Dëshmitarët e Gjenocidit”. 

Numri i saktë i rasteve që do të shkëmbehen nën protokollin e ri nuk dihet, por ekspertët parashikojnë se nuk do të jetë më pak se 100.

Prokurorët serbë aktualisht po hetojnë 100 raste të krimeve të luftës, ndërsa homologët e tyre boshnjakë po punojnë në 648 raste.

Sipas prokurorit serb, edhe para nënshkrimit të protokollit, dy vendet kishin shkëmbyer nëntë raste.