KMSHK-ja Shqyrtoi Dy Ankesa Kundër Medieve

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK), në mbledhjen e mbajtur të martën, pasi shqyrtoi ankesën e Dritëro Kadollit kundër gazetës “Zëri”, lidhur me një artikull që kjo gazetë e ka botuar më 17 dhjetor 2012, e që ka të bëjë me disa propozim-akuza lidhur me aktivitetin e tij biznesor, konstatoi se gazeta nuk ka bërë shkelje duke botuar rastet konkrete që kanë të bëjnë me këto propozim-akuza.

Gazeta ka cituar raste konkrete, duke mos dhënë përfundimet e saj ngase për këto çështje vendos gjykata, mirëpo sipas Kodit të KMSHK-së, gazeta ka të drejtë që, duke u mbështetur në të dhëna, të raportojë, siç ka bërë në këtë rast edhe gazeta “Zëri”.

Përfaqësuesi i gazetës “Zëri” deklaroi se gazeta ka pritur katër ditë kërkesën që i është dërguar z. Kadolli që të prononcohet lidhur me këto propozim-akuza, mirëpo nuk ka arritur të marrë përgjigje.

Duke u nisur nga fakti se Dritëro Kadolli nuk e ka shfrytëzuar të drejtën e tij që edhe pas artikullit të dërgojë reagimin e tij, KMSHK-ja dhe përfaqësuesi i gazetës “Zëri” deklaruan se, në të mirë të informimit të plotë, kjo gazetë do të botonte në tërësi edhe tani të gjitha shpjegimet të cilët do të arrinin në redaksine e gazetës “Zëri”, në mënyrë që të dëgjohet edhe qëndrimi i palës tjetër, ndërsa verdiktin e fundit lidhur me këto propozim-akuza, natyrisht se do ta japë gjykata kompetente.     

KMSHK-ja shqyrtoi edhe ankesën e Qemajl Krasniqit, zyrtar për informim i Komunës së Rahovecit kundër portalit Indeksonline.net i cili, duke u bazuar në një raport të OJQ-së “GAP” lidhur me shpenzimet e buxhetit në Komunën e Rahovecit, e ka botuar një artikull me të dhëna nga ky raport. Në këtë mënyrë, portali në fjalë nuk ka shkelur parimet themelore të Kodit të Mediave të Shtypura të Kosovës pasi është mbështetur në burime të identifikuara.

KMSHK-ja pjesërisht miratoi ankesën e z. Krasniqi vetëm në pikën kur bëhet fjalë për komentet e lexuesve lidhur me këtë artikull, që sipas KMSHK-së janë të papranueshme për shkak të gjuhës së tyre denigruese.

Nëpërmes një komunikate shtypi, KMSHK-ja i fton të gjitha portalet e lajmeve që të respektojnë parimet themelore të etikës duke bërë spastrimin e komenteve nga fyerjet, sharjet, shpifjet dhe gjuha e urrejtjes që nuk i ndihmojnë fare gjetjes së të vërtetës.

“Kjo gjuhë e papranueshme nuk i bëjnë dobi gazetarisë së pavarur dhe lirisë së shprehjes”, thekson ky këshill.