Zyrtari i PDK-së Thotë se Kishte Mungesë Guximi Për Të Rivalizuar Thaçin

Megjithëse Kryeministri Hashim Thaçi e ngriti dorën kundër votimit të hapur për kandidaturën e tij, ai u rizgjodh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) pa ndonjë rivalizim, të dielën, në konventën qendrore të partisë në pushtet.

Ndonëse rizgjedhja e Thaçit pritej, zhvillimet e fundit kanë testuar aftësinë e tij për të mbajtur kompaktësinë e partisë me njeriun e dytë më të rëndësishëm në strukturën e saj sipas statutit, sekretarin e përgjithshëm Jakup Krasniqi, që ka bojkotuar konventën qendrore të PDK-së dhe ka kritikuar koncentrimin e pushtetit tek lideri i partisë si dhe performancën e tij qeveritare.

“Jakupovski”, siç e quante Thaçi në incizimet telefonike të EULEX-it të rrjedhura në muajin nëntor, ka paralajmëruar se do të njoftojë opinionin publik së shpejti në lidhje me aktivitetin e tij të ardhshëm politik, kurse në konventë nuk ka qenë as ish-nënkryetari Fatmir Limaj, aktualisht në paraburgim për rastin Kleçka të krimeve të luftës, dhe as deputeti Hydajet Hyseni, ish i burgosur politik. Sipas zyrtarëve të PDK-së, Hyseni kishte thënë se nuk kishte ftesë për konventë.

Deputeti Nait Hasani i tha Gazetës Jeta në Kosovë të dielën se për Thaçin është ditur se është kandidat për kryetar, por se është e metë e PDK-së që nuk ka pasur kandidat që nga fillimi i fushatës zgjedhore në muajin nëntor.
 
“Kandidat është dashtë të ketë”, tha Hasani. “Por mungesa e vullnetit, mungesa e guximit, mungesa e njerëzve që i tregojnë apetitet dhe unin, ka munguar”.

“Në anën tjeter, kemi edhe një mungesë”, shtoi ai. “Ndoshta kemi mundur që të kemi edhe një kandidat, Fatmit Limajn, por ishte e pamundur në bazë të pozicionit që ai ka (në paraburgim)”, tha Hasani.

Thaçi, sipas të njëjtave incizime të prokurorisë së EULEX-it, kishte refuzuar të shkonte në një përvjetor të degës së PDK-së në Malishevë i frikësuar nga reagimet e simpatizantëve të nënkryetarit Fatmir Limaj. Por, në fillimin e konventës, të shtunën, ai e nënvizoi me emër mungesën e Limajt.

Por as Limaj as Krasniqi nuk kishin marrë pjesë në procesin zgjedhor të PDK-së.

Deputeti Xhavit Haliti nuk beson se Krasniqi do të ndëshkohet duke mos u zgjedhur në Këshillin Drejtues të partisë.

“Nuk e besoj”, tha ai. “Të gjithë delegatët duartrokitën, kur iu përmend emri si Krasniqit ashtu edhe i Limajt”.

Sipas Halitit, ndërkohë, edhe po të kishte kundërkandidatë, Thaçi do të zgjedhej kryetar.
 
“Do të ishte vetëm humbje kohe kundërkandidimi”, tha Haliti për Gazetën Jeta në Kosovë. “Askush nuk ka dashur të kandidohet vetëm sa për sy e faqe, që të shihet në sy të opinionit, sepse të gjithë kanë qenë për Hashimin. Kush do të ishte nëse jo Thaçi?”.

Haliti shtoi se as ish-shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), Kadri Veseli, “nuk ka dashur të jetë oponent i Thaçit”.

“Edhe në dy kongreset e kaluara, megjithëse me kundërkandidatë, Thaçi ka dalë prapë fitues”, tha Haliti.

Deputetja Flora Brovina, tha se është pritur deri në momentin e fundit që dikush të dalë kandidat.

Brovina nënvizoi më shumë aspektin tjetër të konventës.“Disa nga njerëzit shumë të dashur të mi dhe aktivistë prej fillimeve të PDK-së – Krasniqi, Limaj dhe Hyseni – mungojnë dhe kjo mungesë është ndjerë të secili prej nesh”, tha ajo.

Zgjedhjet e brendshme në Partinë Demokratike të Kosovës, që zyrtarisht filluan më 1 nëntor të vitit 2012, kulmuan me konventën zgjedhore qendrore që filloi më 26 janar.

Përveç zgjedhjes së kryetarit, 275 kandidatë, 142 prej të cilëve të kandiduar nga kryesia e vjetër e partisë, janë duke iu nënshtruar garës për anëtarë të Këshillit Drejtues. Delegatët e pranishëm do të kenë mundësi të votojnë deri 150 kandidatë dhe jo më pak se 75.

Këshilli Drejtues do t’i ketë 151 anëtarë. Koordinatori i zgjedhjeve, Basri Musmurati, thotë se deri të hënën do të dihen rezultatet e votimit.

Sipas statutit të kësaj partie, kryesia dhe sekretari i përgjithshëm zgjedhen në mbledhjen e parë të Këshillit Drejtues. Ky organ më parë i ka zgjedhur edhe nënkryetarët e PDK-së, me propozimin e kryetarit të saj.

PDK-ja e kishte mbajtur Kuvendin e jashtëzakonshëm zgjedhor më 24 tetor 2010, kur iu rikonfirmua mandati kryetarit të vetëm, Hashim Thaçi, dhe Kryesisë së partisë, por nuk kishte zgjedhje të rregullta nëpër degë, nëndegë e aktive. Kështu, Kongresi i fundit i mirëfilltë zgjedhor i PDK-së është mbajtur në vitin 2005, pra para shtatë vjetësh, megjithëse me statut ai duhet të mbahet çdo katër vjet.

Procesit zgjedhor iu nënshtruan 634 seksione, 777 nëndegë dhe 37 degë. Në të morën pjesë rreth 68 mijë anëtarë të PDK-së, si votues, të kandiduar ose të përzgjedhur, thotë kjo parti.

Megjithëse ishin shtyrë disa herë afatet, procesi ka mbetur i papërfunduar në disa komuna, përfshirë tri komuna të mëdha Prishtinë, Prizren dhe Gjilan, ku nuk janë zgjedhur ende kryetarët e rinj, derisa Dega e Vitisë nuk e ka mbajtur fare kuvendin e degës.

Gjatë këtyre votimeve ka pasur edhe rrahje dhe shtyrje në degët e Drenasit dhe Vitisë, kurse më shumë raste të shkeljes së statutit në lidhje me përzgjedhjen e delegatëve për kuvendet zgjedhore të degëve.

Por këto incidente nuk i shfaqën të shtunën dhe të dielën deri në mbrëmje në konventën qendrore.

“U kam thënë edhe më herët, se nuk do të ndodhë asgjë, përveç një procesi që do të shkojë shumë mirë”, tha shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Graboci, kryepersonazhi i incizimeve të rrjedhura në nëntor i cili, në njërën nga bisedat, thoshte se Jakup Krasniqi do të shkarkohej nga posti i Kryetarit të Kuvendit po të mos donte kjo parti të krijonte skandale në media.

Deri më tash, zyrtarët e kësaj partie nuk shohin mundësi të çarjes së saj.

Deputeti Nait Hasani thotë se problemet më të mëdha kanë qenë me mosmarrëveshje në raport me zgjedhjen e kryetareve dhe të kryesive të degëve, “për shkak të ngushtësisë dhe kërkesave të mëdha”.

“Dhe ka pasur vullnet më të madh për tu rizgjedhur gjenerata e vjetër”, tha ai.

Një delegat tjetër, Rexhep Hoti, gjatë ditës i bëri thirrje Jakup Krasniqit të rikthehej në PDK ndonëse, sipas tij, njeriut ndonjëherë i “ndodhin lajthitje”.