BE Kundër Diskutimit Parlamentar të Rastit Kiçina

Shkrimi fillimisht ësht♪ botuar më 27 janar 2013

Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës të përmbahet nga veprimet të cilat mund të interpretohen si tentim për të ndikuar ose për të kthyer ndonjë vendim gjyqësor.

“Duhet të ekzistojë një ndarje e qartë ndërmjet pushtetit gjyqësor, ekzekutiv dhe legjislativ”, thotë Fjolla Çeku, zyrtare informimi e BE-së, e pyetur nëse parlamenti duhet të diskutojë për rastin gjyqësor  “Kiçina”.

BE-ja, thotë Çeku, do të informojë deputetët për qëndrimin e saj për këtë çështje.

Ndërkaq iniciativa e diskutimit të rasteve gjyqësore nga ana e Parlamentit është kundërshtuar edhe nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Në një raportim të Gazetës Jeta në Kosovë, të muajit të kaluar, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci kishte deklaruar se “në vendimet gjyqësore nuk mund të ndërhyjë askush. Kjo është rregull. Jo vetëm legjislativi, por asnjë palë tjetër e interesit nuk mund ta bëjë këtë”.

Sipas tij, rigjykimi mund të ndodhë, vetëm nëse ankohen palët e përfshira në atë rast dhe nëse ka fakte të reja”.

“Duhet të ekzistojë një ndarje e qartë ndërmjet pushtetit gjyqësor, ekzekutiv dhe legjislativ” Zyra e Bashkimit Europian

Kanë kaluar rreth një muaj kur Ramiz Lladrovci deputet i Partisë Demokratike në pushtet kërkoi që të futet në rend dite në parlament diskutimi për rastin “Kiçina”.

Por, ende nuk është paracaktuar një datë nga parlamenti se kur do të diskutohet për këtë çështje.

Lladrovci pati bërë kërkesë që rasti Kiçina të diskutohej në seancën parlamentarë të datës 14 dhjetor 2012.

Kryesia, edhe pse e kishte në agjendë diskutimin e këtij rasti, e kishte shtyrë për një javë dhe kishte paralajmëruar mundësinë e formimit të një komisioni ad hoc. http://gazetajnk.com/?cid=1,1018,4076 / http://www.kuvendikosoves.org/?cid=1,159,4639

Pas një jave ishte Lladrovci ai që kishte kërkuar shtyrjen e diskutimit të këtij rasti pasi që “i duhej kohë për të analizuar rastin”.

Por një muaj pas kërkesës fillestare, deputeti Lladrovci thotë se ende i duhet kohë.

“Akoma nuk jam gati – më duhet kohë ta analizoj rastin sepse ka një dosje me rreth 4.000 faqe”, i tha ai Gazetës Jeta në Kosovë.

Ndërkohë sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, konfirmoi se nuk është marrë më asnjë iniciativë rreth kësaj çështje prej kur Kryesia e Parlamentit e hoqi nga rendi i ditës diskutimin për këtë rast.
 
Rasti Kiçina është një ndër rastet më të gjata gjyqësore i cili ka të bëjë me vrasjen e pesëfishtë të familjes së Hamëz Hajrës në gusht të vitit 2001.

“Akoma nuk jam gati – më duhet kohë ta analizoj rastin” Ramiz Lladrovci

EULEX e ka cilësuar vrasjen e ish-policit të regjimit të Milosheviqit dhe familjes së tij si vrasje “për motive hakmarrëse”.

Gjykata e Qarkut, ajo Supreme dhe Kushtetuese kanë shpallur fajtor Burim e Arsim Ramadanin dhe Arben, Blerim e Jeton Kiçinën për këtë vrasje.

Deputeti nga radhët e PDK-së Ramiz Lladrovci beson se gjykimi i rastit Kiçina është bërë në mungesë të argumenteve faktike.
 
“Procesi gjyqësor në rastin Kiçina është zhvilluar në mungesë të argumenteve faktike, ka kaluar nëpër instanca gjyqësore në bazë të rrethanave fiktive dhe janë shkelur të drejtat kushtetutese të të akuzuarve”, thuhet në arsyetimin e propozimit të Lladrovcit.