Erdogan i Premton Thaçit Përkrahje për Njohjet

Kryeministri kosovar Thaçi në takim ka marrë mbështetjen e plotë të kryeministrit turk Erdogan që Turqia do të vazhdojë të ushtrojë ndikimin tek vendet e saj mike për rritjen e numrit të njohjeve të reja për shtetin e Kosovës.

Në takimin mes dy kryeministrave është biseduar  edhe  për dialogun Kosovë-Serbi,  për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në fushën e zhvillimit ekonomik, dhe në fushat e tjera për rritjen me interes të përbashkët,  thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

“Pavarësia e Kosovës ka prodhuar më shumë stabilitet, paqe, prosperitet dhe integrim dhe në këtë kuadër Qeveria e Republikës së Kosovës do të fuqizojë përkushtimet e saj për thellimin e bashkëpunimit rajonal, si parakusht për integrimin e rajonit në BE dhe në NATO”, ka thënë gjatë takimit kryeministri Thaçi.

Thaçi thuhet se e ka njoftuar homologun e tij turk për procesin e dialogut ndërshtetëror që po zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas njoftimit, kryeministri Erdogan i ka dhënë mbështetje të plotë kryeministrit Thaçi dhe Qeverisë së Kosovës për zhvillimin e këtij dialogu, duke theksuar se kjo është mënyra më e mirë për zgjidhjen e çështjeve praktike mes Kosovës dhe Serbisë.

Në takim është biseduar edhe për rritjen e bashkëpunimit ndërshtetëror mes Kosovës dhe Turqisë në fushën e zhvillimit ekonomik.  Kryeministri Thaçi iu ka bërë ftesë, edhe një herë, investitorëve turq që të vijnë dhe investojnë në Kosovë, duke theksuar  se institucionet e Kosovës kanë bërë reforma substanciale në drejtim të krijimit të kushteve të volitshme për investimet ndërkombëtare në Kosovë.