Ilustrim

Dogana Zbulon 95 Mijë € të Fshehura në Airbag

Dogana e Kosovës në pikë kufitare të Hanit të Elezit kanë zbuluar dhe konfiskuar 95 mijë euro, të cilat një shtetas nga Maqedonia, po tentonte t’i fuste të padeklaruara në Kosovë.

Paratë janë gjetur, të hënën rreth mesditës, në një veturë të tipit “Golf”, me targa të Shkupit, të fshehura në vendin e “airbeg”-ut.

Shoferit, shqiptar i Maqedonisë, më pas i janë gjetur edhe një sasi e konsiderueshme e stolive të arit, të fshehura në trup. Vlera e stolive do të bëhet e ditur pas vlerësimit nga një ekspert.

I dyshuari ishte “selektuar” për kontroll nga Departamenti Anti Kontrabandë.

 
“Na u duk veturë e dyshimtë, prandaj e kemi selektuar dhe e kemi dërguar në skaner. Pas kontrollit i kemi zbuluar paratë e fshehura në airbagun e veturës dhe arin e fshehur në trup, në pjesën e barkut”, i tha Gazetës Jeta në Kosovë, B. Sh., zyrtar doganor.