BIRN-i Prezantoi Raportin e Monitorimit të Gjykatave

Të gjeturat kryesore të BIRN-it janë kategorizuar në dymbëdhjetë pika dhe iu referohen problematikave të ndryshme, duke filluar nga monitorimi i rasteve të korrupsionit, shkeljet procedurale, mosrespektimin e të drejtave të palëve gjatë shqyrtimeve gjyqësore e deri te përdorimi i telefonave celularë gjatë mbajtjes së gjykimeve.

BIRN-i ka monitoruar raste të ndryshme të korrupsionit, prej të cilave  janë identifikuar raste kur disa akuza ndaj ish-ministrave, deputetëve janë konfirmuar e më pas janë dënuar, kurse disa aktakuza të tjera janë huqur plotësisht nga ana e prokurorëve. Për më tepër, në këtë raport BIRN-i nuk ka neglizhuar faktin se mostransparenca e gjyqësorit akoma vazhdon të shoqërojë këtë sistem.

Në kuadër të raportit, po ashtu, janë trajtuar tema të tjera përmbajtjesore, ndër më të shpeshtat siç janë mungesa e koordinimit gjatë caktimit të seancave gjyqësore dhe problematika e vazhdueshme me ftesat gjyqësore. Si rrjedhojë e kësaj është rezultuar me zvarritje të mbajtjes së seancave ose shtyrje të tyre, fenomen ky i cili disfavorizon parimin e ekonomizimit të procedurës gjyqësore.

Përveç te gjeturave të natyrës ligjore, teknike dhe etike të trajtuara në raport, BIRN-i ilustroi dhe progresin e arritur përgjatë pesë viteve të fundit në sistemin e gjyqësisë.

Sikurse në vitet paraprake, BIRN-i po ashtu ka trajtuar dhe krahasuar me vitet paraprake të gjeturat teknike, e të cilat ishin: mosmbajtja e uniformës në gjykime, përdorimi i telefonave gjatë gjykimeve dhe çështje tjera si reformimi i  sistemimin të ri të gjykatave, problemet me përkthime dhe mungesën e përkthyesve të certifikuar.

Përmirësim i lehtë vërehet te lajmërimi i seancave gjyqësore. Kështu për ndryshim nga viti 2010, kur përqindja e seancave të palajmëruara ka qenë 50.1%, në vitin 2012 kjo përqindje ka pësuar ulje në 22.4%.

Gjithashtu për dallim nga viti 2009 në të cilin vit, 59.9% e seancave kanë filluar me vonesë për shkak të vonesës së trupit gjykues ose gjyqtarit të çështjes, nga rastet e monitoruara të vitit 2012 vërehet një përmirësim ku vetëm 33.08% e seancave kanë filluar me vonesë.

Një temë e cila u trajtua me theks të veçantë ishte mospërdorimi i pajisjeve elektronike në gjykata, i cili konsiderohet si shtyllë e nevojshme për të konsoliduar deklarimet e palëve, dëshmitarëve dhe gjykatësve.

Në konferencën me gazetarë, ku është paraqitur raporti, merrnin pjesë dhe përfaqësues nga institucione gjyqësore, si Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Gjykata Supreme e Kosovës, Prokuroria e Shtetit, Avokati i Popullit, përfaqësues të ambasadave në Kosovë , përfaqësues nga OSBE-ja, EULEX-i dhe shoqëria civile.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Enver Peci, përgëzoi BIRN-in për punën e zhvilluar deri më tani, e cila shtoi ai, “paraqet shënjestër për fushat ku sistemi gjyqësor duhet të angazhohet me tepër”. 

Kryesuesi theksoi se falë të gjeturave në raportet e BIRN-it, KGjK-ja ka filluar procedurat disiplinore ndaj gjyqtarëve të cilët kanë bërë shkelje procedurale. Ai gjithashtu theksoi atë që tani më dihet, se gjyqësori është duke u përballur me reformat nga më të ndryshmet e para vetes ka sfida si numrin e shumtë të lëndëve të trashëguara.

Edhe përpos vështirësive, Peci deklaroi se bëhen përpjekje maksimale që rekomandimet e BIRN-it dhe organizatave të tjera të adresohen.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, tha se BIRN-i ka ndihmuar që të nxirren në pah gabimet dhe lëshimet të cilat këta vetë është e pamundur t’i hetojnë. Ai gjithashtu u solidarizua me faktin se është vërtetë fatkeqësi mosrespektimi i orarit apo mospërdorimi i uniformave përsëriten në mënyrë të vazhdueshme.

Sa i përket çështjes së procesverbaleve, temë e trajtuar nga raporti i BIRN-it, ai tha se tani më me hyrjen në fuqi të Kodeve të reja parashihet regjistrimi audio vizual i gjykimeve dhe reproduktimi i tyre në afatin e caktuar ligjor. Sipas tij kjo pa dyshim që do evitojë defekte të cilat nuk është dashur të ndodhin.

Fejzullah Hasani, po ashtu tha se edhe Gjykata që ai drejton ka gjetur shkelje procedurale. “Pala na është drejtuar duke na thënë se ai nuk ka qenë fare në gjykim ndërsa është i konstatuar në procesverbal. Po ashtu pala na ka treguar se në seancë nuk ka qenë fare trupi gjykues ndërsa kur e ka marrë vendimin ka parë që figurojnë emrat e personave në vendim”.

“Me kënaqësi e me kujdes kam lexuar raportin e BIRN-it dhe ju përgëzoj për  të gjeturat reale të cilat janë të mirëseardhura për punën tonë”, tha prokurori special, Besim Kelmendi.

Kelmendi adresoi autokritikë për sistemin e prokurorisë sa i përket mospërgatitjes së prokurorëve. Ai i udhëzoi monitoruesit e BIRN-it që t’i kushtojnë një rëndësi të veçantë rasteve skajshmërisht të ngjashme, të cilat rezultojnë më dënime skajshmërisht të ndryshme. Gjithashtu, prokurori Kelmendi këshilloi prokurorët për një punë më të vyeshme, duke thënë se tani më janë harxhuar arsyetimet sa u përket gabimeve të bëra.

Diane E.Tourell, analiste ligjore në OSBE, komplimentoi raportin e bërë nga BIRN dhe theksoi se OSBE i bashkëngjitet shqetësimit të shkaktuar nga shkeljet procedurale dhe se mirëpret raportet e tilla të mirëfillta në të ardhmen.

BIRN-i do të vazhdojë me monitorimin e seancave gjyqësore edhe përgjatë vitit 2013.