Policia e Kosovës Arrestoi Shoqëruesit e Vulinit

Policia e Kosovës arrestoi nëntë persona në Gracanicë, të hënën, për “arsye sigurie”, gjatë vizitës së shefit të Zyrës së Qeverisë Serbe për Kosovën, Alexander Vulin, në manastirin e këtushëm.

Policia tha se për shkaqe të sigurisë së përgjithshme, zyrtari nga Beogradi ishte nën përcjellje të Policisë së Kosovës në Graçanicë. 

“Personat e dyshuar janë ndaluar bazuar në autorizimin e prokurorit nga Policia pasi që gjatë përcjelljes së eskortës se z. Vulin, e cila ishte përgjegjësi e Policisë së Kosovës, kishin sjellje dhe veprime të dyshimta”, thuhet në një komunikatë shtypi të Policisë së Kosovës.

Këta personat thuhet se kishin veshje të njëjtë dhe gjatë gjithë kohës me dy vetura private kanë përcjellë kolonën e eskortës së zyrtarit nga Beogradi, veprime këto që janë cilësuar si të dyshimta nga policia kosovare.

Personat janë shoqëruar në stacion policor për identifikim dhe verifikim. “Lidhur me këtë rast policia ka kontaktuar prokurorin përkatës dhe të gjitha veprimet e Policisë janë kryer sipas autorizimeve të prokurorit”.
 
Medie serbe kanë raportuar se disa prej të arrestuarve i përkasin sigurimit të Alexander Vulinit.

Qeveria e Kosovës, më parë, ka refuzuar t’i japë leje për një vizitë zyrtare nga presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic, për të marrë pjesë në ceremoninë për Krishtlindjet Ortodokse në të njëjtin manastir të hënën.

Në një letër për zyrën BE-së në Prishtinë, ministri i Drejtësisë në Kosovë, Hajredin Kuçi, tha se “ishte i gatshëm të rishqyrtonte këtë vendim” nëse të dyja anët “pranojnë marrëveshje reciproke” për vizitat zyrtare.

Ministria e tij shpjegoi se arsyeja për refuzimin ishte se vizitat e planifikuara për Serbi vitin e shkuar nga ministrja e Tregtisë në Kosovë, Mimoza Kusari, dhe ministri për Diasporën, Ibrahim Makolli, nuk u pranuan nga Beogradi.

Vendimi për të ndaluar Nikolicin shkaktoi reagime të ashpra nga Beogradi.

“Nuk do të lë Prishtinën të vendosë nëse mund të shkoj në Kosovën tonë”, tha kryeministri serb për mediat në Beograd.

Policia ndërhyri gjithashtu të dielën për të shpërndarë protestën në një kishë ortodokse në qytetin e Gjakovës, kundër një ceremonie në të cilën rreth 50 serbë morën pjesë.

Protesta ishte organizuar nga anëtarë të lëvizjes Vetëvendosje dhe një grup i quajtur “Thirrjet e Nënave”, që kërkuan nga autoritetet të bëjnë më shumë për të adresuar çështjen e personave të zhdukur.

Demonstruesit mbanin fotografi të të zhdukurve që nga fundi i luftës në Kosovë, numri i të cilëve vlerësohet të jetë më shumë se 1 700.