Pretendenti për Shef të Privatizimit Zgjedhet në PDK

Anëtari i PDK-së i nominuar para një muaj e gjysmë nga Kryeministri Hashim Thaçi për të udhëhequr një institucion të pavarur po e synon në të njëjtën kohë ngritjen brenda partisë në pushtet.

Blerim Rexha mori votat e nevojshme për të qenë anëtar i Këshillit Drejtues të degës së PDK-së në Prishtinë në zgjedhjet saj që u mbajtën të shtunën më 22 dhjetor.

Rexha nuk është përgjigjur në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovë.

Në të kaluarën, ai ishte zëvendësministër për Energji dhe Miniera në qeverinë “Thaçi 1” dhe ish-shef për teknologji në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, një trupë e formuar nga PDK-ja në kohën kur ishte në opozitë.

Por zgjedhjen e tij në këtë strukturë partiake e ka konfirmuar Shemsi Veseli, shef i këshilltarëve të PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës si dhe anëtari më i votuar në zgjedhjet e së shtunës.

“Blerim Rexha ka qenë kandidat nga dega e Arbërisë”, Veseli i tha Gazetës Jeta në Kosovë. “Unë e di që ai ka qenë i propozuari i Kryeministrit për kryetar të Bordit të AKP-së, por se a është kjo e ligjshme apo jo, kjo është tjetër gjë”, ka deklaruar Veseli.

Ai ka vlerësuar se zgjedhjet e së shtunës kanë qenë procesi më transparent që ka ndodhur ndonjëherë në degën e PDK-së në Prishtinë.

“Në këshillin drejtues janë zgjedhur anëtarë të cilët do ta ndihmojnë dhe forcojnë strukturën e PDK-së në Prishtinë, të cilët në një të ardhme do ta dërgojnë Prishtinën drejt një fitoreje të PDK-së”, tha Veseli.

Ndërkohë, Rexha ishte nominuar nga kryeministri Thaçi për pozitën e kryetarit të bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Më 29 tetor, Thaçi e nominoi atë vetëm dy muaj pasi që kishte deklaruar në një seancë parlamentare se si shef i qeverisë kishte arritur ta depolitizonte AKP-në.
 
“Personalisht si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës kam vendosur që për t’i ikur ndikimit politik të mos propozohen ministra në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit”, kishte deklaruar Thaçi, në seancën parlamentare të 2 tetorit të këtij viti.

Kryeministri deklaroi se para 2008-ës, vit ky kur Thaçi formoi kabinetin e tij qeverisës, privatizimi ishte i ndikuar politikisht.

Privatizimi kishte nisur në vitin 2001, por prej vitit 2004 në Bordin e Drejtorëve të kësaj agjencie ka pasur anëtarë edhe Qeveria e Kosovës.